Borrell kërkon konstruktivitet për zgjidhjen e problemit për targa

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell pas arritjes së sotme të marrëveshjes për dokumentet, ka kërkuar konstruktivitet nga Kosova dhe Serbia edhe sa i përket çështjes së targave.
Ai në një video-adresim përmes Twitter, ka thënë se çështja e lirisë së lëvizjes nuk ka përfunduar dhe se duhet të gjendet një zgjidhje edhe për targat.
“Pres që dy liderët të tregojnë pragmatizëm e konstruktivitet për të zgjidhur problemin me targa. Kam thënë shumë herë, në kohën e luftës në Ukrainë, me sfidat që BE që po përballet, ne në Evropë nuk kemi nevojë për probleme, nuk kemi nevojë për tensione. Duhet zgjidhje, duhet zgjidhje për Ballkanin Perëndimor. Ka disa probleme që kanë mbetur. Duhet të vazhdojmë që të punojmë për të zgjidhur. Sot është ditë shumë e mirë”, ka thënë ai.
Borrell, sot më herët, ka bërë të ditur se është arritur marrëveshja për dokumentet identifikuese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ai ka potencuar se Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre.

Back to top button