Takimi në Bruksel, Kurti takohet me Borrellin dhe Lajçakun
(Lajm i përditësuar)
Borrell: Normalizimi i raporteve me Serbinë, kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se normalizimi i raporteve me Serbinë është kyç për rrugën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian. Këtë Borrell e ka thënë të shtunën, pas një takimi me kryeministrin Albin Kurti, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.
“U takova me Kurtin në #MSC2023 për të diskutuar për nevojën për avancim të propozimit të BE-së për normalizim raportesh me Serbinë, që është kyç për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Do të takohemi në Bruksel për takim në nivel të lartë më 27 shkurt”, ka shkruar Borrell në Twitter pas takimit me Kurtin.
Takimi në Bruksel, Kurti takohet me Borrellin dhe Lajçakun
Në kuadër të Konferencës së Mynihut, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti zhvilloi takim edhe me përfaqësuesin e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell dhe Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajčák.
U diskutua për procesin e dialogut dhe propozimin evropian, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Italia.
Bëhet e ditur se në këtë takim gjithashtu u fol edhe për takimin e radhës në Bruksel të thirrur për 27 shkurt nga Bashkimi Evropian./21Media