Borrell porosi Kurtit e Vuçiqit: S’jemi ndërmjetës në dialog, jemi shumë më tepër se kaq

Shefi i Diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, u ka dërguar porosi Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas mosarritjes së një marrëveshje për çështjen e targave.
Përmes një interviste të dhënë për “Euroactiv“, Borrell ua ka kujtuar Kurtit e Vuçiqit se ai dhe Mirosllav Lajçak s’janë ndërmjetës në këtë proces, por shumë më tepër se kaq.
Borell tutje tha se Bashkimi Evropian “ka një kapacitet të levës”, derisa përmendi qëllimet e të dyja shteteve, që të bëhen anëtare të bllokut.
“Ne nuk jemi ndërmjetës, jo arbitër, jemi shumë më tepër se kaq sepse të dy duan të bëhen anëtarë të BE-së dhe kemi një kapacitet të levës”, ka deklaruar Borrell.
Ndryshe, takimi urgjent i organizuar dje në Bruksel ndërmjet Kurtit e Vuçiqit ka përfunduar pa marrëveshje.
Kryeministri Kurti ka thënë se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.
Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.
“Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë”.
“Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, ka thënë Borrell për gazetarët.
Pas mesnatës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shtyrë për 48 orë zbatimin e fazës së dytë të vendimit për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe në RKS – Republika e Kosovës.
Faza e dytë ka paraparë shqiptimin e gjobave prej 150 eurosh për qytetarët që qarkullojnë me targa të tilla.
Kërkesën për shtyrje 48-orëshe e kanë bërë Shtetet e Bashkuara.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Qeverisë së Kosovës shtyrje 48-orëshe të vendimit për shqiptimin e gjobave, për t’i lejuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që të angazhohen me Kosovën dhe Serbinë për të gjetur zgjidhje për këtë çështje.
Si përgjigje ndaj kërkesës së ambasadorit amerikan, Kurti ka thënë se është i gatshëm të punojë me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur zgjidhje në dy ditët e ardhshme.
Departamenti amerikan i Shtetit është shprehur i zhgënjyer për mosarritjen e një marrëveshjeje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për këtë çështje, pas takimit disaorësh që kanë zhvilluar më 21 nëntor në Bruksel, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kurti dhe Vuçiq “duhet të bëjnë koncesione për të siguruar që nuk rrezikojnë paqen e arritur me vështirësi në një rajon veçse të brishtë”, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.
Zhgënjim për mosarritje të marrëveshjes kanë shprehur edhe Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe NATO-ja.

Back to top button