BE-ja konfirmon pjesëmarrjen e Kosovës dhe Serbisë në takimin për dinarin
Për të diskutuar çështjen e dinarit serb në Kosovë, Bashkimi Evropian ka kërkuar mbajtjen e një takimi në Bruksel më 27 shkurt (nesër). Banka Qendrore e Kosovës (BQK) për portalin rtv21.tv ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim.
BQK-ja në përgjigjen për rtv21.tv ka thënë se kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS).
“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) kohë më parë ka shprehur gatishmërinë që të angazhohet dhe takohet edhe me Bankën Popullore të Serbisë (NBS), për të fasilituar në përzgjedhjen e opsionit me të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare në llogaritë e përfituesve (në Euro). Në këtë kuptim, edhe i përgjigjet ftesave kur janë të nevojshme, për takime të tilla informuese, siç edhe ka bërë në vazhdimësi edhe me prezencën ndërkombëtare në vend”, thuhet në përgjigjen e BQK-së.
Ndërkaq, zëdhënësja e Komisionit Evropian për çështje të politikës së jashtme, Nabila Massrali, nuk saktësoi se kush do të marrë pjesë, por tha se takimi do të jetë “në formatin e zakonshëm të dialogut” dhe në të do të flitet për “gjetjen e zgjidhjeve”.
Javën e kaluar, kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë në takim, duke e akuzuar të dërguarin evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, se ka shkelur parimin e caktimit të agjendës së takimit, pa pajtimin e palëve.
“Ajo që unë mund të them është se po, do të kemi takim nesër. Takimi i nesërm është takim i dialogut, i cili do të fokusohet në zgjidhjet e çështjeve të hapura lidhur me vendimet e fundit për qarkullimin e valutave nga BQK-ja”, tha Masralli.
Sipas BE-së, takimi do të nisë në mëngjes dhe do të ketë rrjedhën e njëjtë të takimeve në formatin e zakonshëm të dialogut.
“Dhe po, të dyja palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen e tyre”, tha zëdhënësja duke shtuar se detajet për takimin do të jepen më vonë.
Bashkimi Evropian po kërkon që çështja e ndalimit të dinarit serb të zgjidhet përmes dialogut../21Media