BQK parashikon 3 deri 4 për qind rritje ekonomike më 2023

Kosova pritet që të ketë një rritje ekonomike prej 3 deri në 4 për qind gjatë vitit 2023. Kështu deklaroi guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, në konferencën e fundvitit.
Mehmeti tha se këto parashikime janë të njëjta me ato që i ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Sipas vlerësimeve të BQK-së këtë vit parashikimet tona janë që rritja ekonomike në vend të sillet 3 deri 4 për qind, e që është ngjashëm me parashikimet që i jep edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar”, ka thënë Mehmeti.
Duke arsyetuar parashikimet rreth rritjes ekonomike, guvernatori Mehmeti tha se edhe ekonomia e Kosovës u prek nga zhvillimet globale, siç është lufta e Rusisë në Ukrainë që, sipas tij, ndërpreu zinxhirin furnizues.
“Ekonomia e Kosovës filloi në vitin 2022 me perspektivë të mirë si rezultat i vitit të suksesshëm që ishte më 2021 e që u karakterizua me një rritje 10.75 për qind. Megjithatë, gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikës globale, si dhe pasojat e luftës në Ukrainë, u shoqëruan me rritje të inflacionit, ndryshim të politikave monetare, rritje të normës së interesit dhe ngadalësim të rritjes së tregtisë botërore si rezultat i ndërprerjeve të zinxhirit të furnizimit e që u reflektua në aktivitetin ekonomik në nivel global, gjithashtu edhe në Kosovë”, deklaroi Mehmeti.
Mehmeti foli edhe për remitencat që përbëjnë një komponentë të rëndësishme të ekonomisë së Kosovës.
Sipas guvernatorit Mehmeti, remitencat në vitin 2022 arritën vlerën prej më shumë se 1 miliard euro duke thënë se kishte rritje prej 5.5 për qind./Rel

Back to top button