Britania vendos sanksione të reja kundër Rusisë

Britania e Madhe prezantoi të martën sanksione të reja kundër Rusisë, duke përfshirë një ndalim për anijet me lidhje ruse për të hyrë në portet britanike, njoftoi qeveria.
“Ndalimi i anijeve ruse nga portet e Mbretërisë së Bashkuar dhe sanksionet e reja ekonomike kundër institucioneve kryesore financiare ruse, përfshirë bankën e saj qendrore, në koordinim të ngushtë me aleatët tanë, do të degradojnë ekonominë e Rusisë dhe do të ndihmojnë që Putini të humbasë”, tha sekretarja e Jashtme britanike Liz Truss, përcjellë rtv21.tv
Masat ekonomike shtesë, përfshirë ato kundër Bankës Qendrore Ruse dhe fondit të pasurisë sovrane të shtetit, nënkuptojnë gjithashtu se shumica e sistemit financiar të Rusisë mbulohet tani nga sanksionet e Britanisë, thuhet në deklaratë, raporton CNN
“Duke filluar nga e marta, unë po udhëzoj të gjitha portet e Mbretërisë së Bashkuar që të largojnë çdo anije që është me flamur, e regjistruar, në pronësi ose operuar nga Rusia”, tha në deklaratë sekretari britanik i Transportit, Grant Shapps.
“Duke ndaluar anijet ruse nga portet tona, ne po izolojmë më tej Rusinë dhe po dërrmojmë aftësitë e saj ekonomike, duke e lënë në uri makinën luftarake të Putinit”, shtoi Shapps./21Media

Back to top button