BSPK: Qeveria po kërcënon grevistët
Kryetari Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli e quan kërcënim njoftimin e Ministrisë së Financave për pezullim nga paga të grevistëve.
“Partneri ynë Social – Qeveria po kërcënon grevistët dhe kjo është antiligjore se shkelet ligji për grevat, LIGJI Nr. 03/L-200, Neni 11, 13 dhe 18, e mbi të gjitha kjo nuk është aspak e mirë. Të kërcënosh grevistët e qetë dhe në të drejtën e tyre është shkelje e normës dhe parimeve të shtetit demokratik e juridik dhe mbi të gjitha marrje e së drejtës për grevë – me fjalë të tjera është gabim shumë i madh.”, thuhet në reagimin e Hykollit.
Ai ftoi Qevrinë për dialog.
“Partneri ynë Social – Qeveria duhet t’i jepet arsyes dhe të ulet në tavolinën e dialogut të sinqertë prej nga duhet të dalim me zgjidhjen e duhur, dhe zgjidhja e duhur është përmbushja e kërkesave të të punësuarve.”, bëri thirrje Hykolli.
Punëtorët e sektorit publik nga sot 25 gusht 2022 kanë hyrë në grevë të përgjithshme./21Media