Bujqve u ikin ditët për aplikim për subvencione, Peci e Latifi vazhdojnë me replika

Komuna e Rahovecit është duke u përballur me mungesë të noterëve dhe kjo po vështirëson aplikimin e bujqve për subvencione. Këtë problematikë ditë më parë e ka ngritur kryetari i kësaj komune, Smajl Latifi.
Ai përmes një statusi në Facebook ka kërkuar nga Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, të adresojnë me urgjencë këtë çështje.
Sa i përket kësaj, portali rtv21 ka kërkuar dy herë përgjigje nga dy ministritë përkatëse, por deri më tani asnjëra nga ministritë nuk është përgjigjur.
Në një paraqitje televizive në mediat vendore Ministri Peci për Latifin ka thënë se tenton vazhdimisht e sulmon Ministrinë e Bujqësisë . Peci e ka quajtur Latifin destruktiv.
“Vazhdimisht tenton të rivalizon me Ministrinë e Bujqësisë edhe duke përdorur një populizëm kështu tejet primivitv që në vazhdimësi ne çdo proces që ndërmerr Ministria e Bujqësisë ai ka reagime edhe tenton të minimojë punën e mirë edhe produktive që e ka Ministria e Bujqësisë”, ka thënë Peci.
E kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi lidhur me këto deklarata ka reaguar publikisht përmes një postimi në rrjetet sociale.
Latifi ka thënë se Komuna e ka ftuar për vizitë ministrin Peci por që ky ka injoruar ftesat e tyre.
“Duhet t’ia kujtojmë ministrit Peci, se bujqësia është TOP prioritet në Komunën e Rahovecit. Për këtë gjë, një muaj pasi ka marrë detyrën ministri Peci në Qeverisjen Kurti 2, i kemi drejtuar ftesë zyrtare për ta vizituar Rahovecin. Kërkesa i është përsëritur për katër herë, por përgjigje nuk kemi marrë asnjëherë nga Ministri.
Megjithatë, pas dy muaj pritjeje, kemi arritur që vizitën e parë bashkë me drejtorin e bujqësisë në Rahovec Berat Durakun, t’ia bëjmë pikërisht ministrit të MBPZHR-së z. Peci. Edhe në atë takim i kemi bërë ftesë për vizitë në Rahovec. Përveç injorimit të ftesave tona, Ministri asnjëherë nuk ka dashur të dëgjojë për shqetësimet e bujqve të komunës së Rahovecit. “, ka thënë ndër tjerash Latifi.
Ai po ashtu ka reaguar edhe lidhur me deklaratat e Pecit, i cili e quajti destruktiv kryetarin e Rahovecit. .
“Në komunën e Rahovecit pjesa dërrmuese merren me bujqësi, prandaj ne kemi të drejtë të shqetësohemi për fatin dhe mirëqenien e tyre. Më keni quajtur “destruktiv” e “populist primitiv”. Nëse mbrojtja e interesave të 70 % të qytetarëve të komunës së Rahovecit është akt “destruktiv” dhe “populizëm”, atëherë unë e refuzoj këtë me neveri. Gjithkush duhet ta dijë se, sa herë që cenohen interesat e bujqve të Rahovecit, do të kundërshtojmë fuqishëm, qoftë edhe duke na cilësuar “destruktiv” e “populist”.”, ka shkruar tutje Smajl Latifi duke shtuar se ministri Faton Peci e ka derën hapur për vizitë në këtë komunë.
“Ftesa e bërë qysh në prill të vitit 2021 ende është aktuale dhe ministri Peci me bashkëpunëtorët e tij do të mirëpritet”, ka shkruar Latifi./21Media

Back to top button