Bytyqi premton buxhet më të lartë dhe tekste të reja shkollore për vitin 2019

Gjatë vitit shkollor 2019/20 nxënësit në Kosovë pritet të pajisen me botime të reja shkollore

Këtë e ka konfirmuar vetë ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, gjatë konferencës së fundvitit.

Ai ka thënë se botimet e reja do të jenë në përputhje me kurrikulën aktuale dhe do t’i përmbushin standardet ndërkombëtare, ndërkohë që për herë të parë, me libra do të pajisen edhe vetë mësimdhënësit.“Nuk ishim të gatshëm që të kemi tekste të reja për vitin 2018/19, sepse dëshironim që të kemi libra të mirë, e jo vetëm sa për të thënë që po bëjmë libra të rinj dhe besoj që viti 2019 do të na zërë me tekste çfarë ka nevojë të kenë edhe nxënësit edhe mësimdhënësit, dhe po themi që për herë të parë do të kemi libra edhe për mësimdhënës. Pra, nuk do të jenë vetëm tekstet për nxënësit, por edhe për mësimdhënës”, ka thënë Bytyqi.

E për vitin që po vjen, Bytyqi ka premtuar edhe rritjen e buxhetit për arsim për 11.2 milionë euro. “Për vitin 2019, ne do të kemi 19 për qind buxhet më shumë, flasim për Ministrinë e Arsimit, ndërsa nëse flasim në tërësi për sistemin arsimor ka një rritje për diku 10 për qind. Por, gjithsesi është një rritje e mirë, jo ajo të cilën ka nevojë sistemi arsimor, por është një rritje. Na mbetet tani t’i realizojmë objektivat që i kemi për vitin 2019”, ka thënë Bytyqi.

Qendrën Kombëtare për njohjen e diplomave “NARIC”, ministri Bytyqi e ka konsideruar si një ndër të arriturat kryesore të Ministrisë së Arsimit këtë vit, pasi tashmë studentët nuk do të presin me vite të tëra për njohjen e një diplome nga jashtë, por më së shumti 60 ditë. “Nganjëherë më shumë ka zgjatur pritja e nostrifikimit të diplomës se ndoshta vetë kryerja e nivelit qoftë master apo doktoratë, pra pritja ka qenë e pajustifikueshme. Ne kemi marrë masa t’i identifikojmë shkaqet, se cilat janë problemet dhe çka duhet të bëjmë dhe sot mund ta themi me mburrje, kemi arritur që NARIC të mos jetë më problem i Ministrisë së Arsimit, por të jetë krenari e vitit 2018 i Ministrisë së Arsimit”, ka thënë Bytyqi.

Gjatë këtij viti u rrit edhe buxheti i bursave për studentët e të gjitha niveleve të arsimit publik, e ministri tha se kjo është bërë më qëllim që studentëve meritorë t’u sigurohet mirëqenie, por edhe të nxisë garë pozitive.

Ministri Bytyqi njëherësh është zotuar se arsimi profesional do të vazhdojë të jetë prioritet për MASHT-in, madje 2019-tën e ka quajtur viti i arsimit profesional.“Jemi duke i identifikuar cilat janë kërkesat e tregut të punës, pra cilat janë programet më të kërkuara dhe mbi bazën e këtyre programeve ne jemi duke i ndërtuar 15 standarde të reja që do t’i kenë në dispozicion shkollat profesionale dhe po ashtu 2019 do të jetë një vit i zhvillimit të shkollave profesionale”, ka thënë ai.

I pari i MASHT-it ka folur edhe për vendimin e ndalimit të telefonave nëpër shkolla, për të cilin tha se u mor me qëllim të mbarëvajtjes së procesit mësimor.

E lidhur me vlerësimin e mësimdhënësve që nisi këtë vit, ai ka thënë se ky vendim u mor me qëllim të ngritjes së cilësisë në arsim.

Ministri Bytyqi po ashtu premtoi angazhim të shtuar për testin e maturës dhe PISA në të ardhmen.

Ndryshe, kreu i MASHT-it ka shpërblyer me mirënjohje mësimdhënësit dhe drejtorët më të dalluar të shkollave për vitin 2018, e njëherësh u ka premtuar se vitin e ardhshëm do t’i shpërblejë më shumë se sa me një mirënjohje.

Back to top button