Cakolli: Presidenti s’ka autoritet kushtetues për shtyrjen e zgjedhjeve komunale

Ditëve të fundit kanë qarkulluar zëra për shtyrjen eventuale të zgjedhjeve lokale të parapara që të mbahen më 17 tetor.
Madje u tha se është në diskrecionin e Presidentit një gjë e tillë.
Por, Eugen Cakolli nga KDI thotë se Presidenti nuk ka autoritet kushtetues që të vendosë për shtyrjen e zgjedhjeve komunale për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me COVID-19.
Përmes një postimi në “Facebook”, Cakolli ka dhënë disa argumente që sipas tij është e pamundur të shtyhen zgjedhjet lokale në këtë situatë.
“- Presidenti nuk ka autoritet kushtetues që të vendosë për shtyrjen e zgjedhjeve komunale për shkak të rritjes së numrit të personave të infektuar me COVID-19;
– Shtyrja e zgjedhjeve privon qytetarët nga e drejta e tyre kushtetuese, sipas nenit 45, për t’u zgjedhur apo për të zgjedhur një nga kandidatët e certifikuar nga KQZ-ja;
– Shtyrja e zgjedhjeve ndalon që demokracia të materializojë funksionin e vetë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve të komunës në
drejtim të zgjedhjes përmes votimit të përfaqësuesit të tyre në komunën përkatëse;
– Shtyrja e zgjedhjeve paraqet cenim të konventave ndërkombëtare dhe Kodit të Praktikës së Mirë në Çështjet Zgjedhore. Shtyrja, pa mbështetje kushtetuese dhe ligjore, shkel po ashtu të drejtat e garantuara sipas nenit 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së”, ka shkruar Cakolli.
Ai ka shtuar se këto argumente (dhe të tjera) kundër shtyrjes së zgjedhjeve janë parashtruar pranë Gjykatës Kushtetuese (Rasti KO98/20) nga grupi parlamentar i LVV-së, kur Presidenti Thaçi kishte shtyrë zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës./21Media

Back to top button