Caktohet masa e paraburgimit ndaj 16 të pandehurve për fajde dhe detyrim

Gjykata Themelore në Pejë sot ka informuar se ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve K.K, I.C, S.D, B.M, D.P, F.ZH, T.A, A.G, P.K, V.K,  A.B, L.E, SH.M, O.L, S.J dhe A.K. për fajde dhe detyrim.
“Gjyqtari i procedurës paraprake, pas shqyrtimit të propozimit të prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve, konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, meqë bëhet fjalë për vepra të rënda penale, ku për vepër penale fajdeja nga neni 331 par.3 të KPK-së është paraparë dënimi e burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet derisa për vepër penale detyrimi nga neni 328 par.2 të KPK-së, është paraparë dënimi e burgim prej një (1) deri në dhjetë (10) vjet gjithashtu, duke i pas parasysh karakteristikat personale të pandehurve, sjelljen e tyre të mëparshme si dhe faktit se janë identifikuar viktima të tjera të veprave penale të kryera nga të pandehurit dhe janë duke u grumbulluar prova dhe dëshmi të tjera brenda dhe jashtë vendit, të gjitha këto rrethana janë të mjaftueshme për të besuar se me gjetjen e mundshme të pandehurve në liri ose nën çfarëdo mase tjetër më të butë, ekziston rreziku i lartë se në çfarëdo mënyre do të fshihen dhe do t’iu shmangen organeve të ndjekjes, do të ndikojnë në viktimat e rastit, do të shkatërrojnë provat, të bashkërendojnë mbrojtjen e tyre apo edhe të përfundojnë veprat për të cilat janë kërcënuar apo do t’i përsërisin veprat e njëjta penale.”, është bërë e ditur në komunikatë.
Kundër këtij, vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Një aksion me urdhër të Prokurorisë Themelore në Pejë, të martën (22 shkurt) ka rezultuar me arrestimin e 17 personave për fajde detyrim dhe armëmbajtje pa leje. Prokurorja e rastit, Sahide Gashi në një konferencë për media ka dhënë detaje për arrestimin e 17 personave të dyshuar. Ajo ka deklaruar se shuma që është ngrirë në këtë rast përllogaritet të jetë më shumë se 5 milionë euro (banesa, parcela toke)./21Media

Back to top button