Çdo vit rreth 500 mijë raste me kancerin e qafës së mitrës

Dy gjëra që parandalojnë kancerin e qafës së mitrës janë PAP testi dhe vaksina kundër HPV

Në botë rreth 500 mijë raste të reja në vit diagnostikohen me kancerin e qafës së mitrës dhe rreth 90% të vdekjeve që shkaktohen si pasojë e kësaj sëmundje, ndodhin kryesisht në shtetet me të ardhura të ulëta. Edhe në Kosovë numri i grave të prekura nga kanceri i qafës së mitrës është i lartë. Kështu u tha në një tryezë diskutimi e cila u organizua me rastin e shënimit të Javës Evropiane të Kancerit të Qafës së Mitrës, nga Action for Mothers and Children dhe Koalicioni K10, e mbështetur nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara UNFPA.

Drejtor ekzekutiv në AMC, Vlorian Molliqaj, tha se duke e ditur që identifikimi i hershëm i kancerit të mitrës shpëton jetë, AMC e mbështetur nga zyra e UNFPA në Kosovë dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucione të tjera shëndetësore që nga viti 2015, kanë filluar programin e kancerit të qafës së mitrës në Prishtinë, ku falë këtij programi gratë mundë të bëjnë PAP testin falas.

Sipas Molliqajt, dy gjëra që parandalojnë sëmundjen e kancerit të qafës së mitrës janë PAP testi dhe vaksina kundër HPV. Sipas tij vaksina kundër HPV-së duhet të futet në kalendarin e rregullt të imunizimit në Kosovë.

Udhëheqësja e Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, Merita Vuthaj, tha se sipas të dhënave që posedon vetëm në vitin 20188 nga kanceri i qafës së mitrës 311 mijë gra kanë vdekur në mbarë botën.

Sipas saj, nëse promovohet dhe zbatohet një program i mirë i Skriningut me siguri që pasojat do të jenë më të vogla.

Vuthaj iu bëri thirrje të gjitha grave që të bëjnë PAP testin, në mënyrë që diagnostifikimi të jetë i hershëm dhe të merren masat e nevojshme parandaluese.

Ajo shpreson që në tryezat e ardhshme që do të mbahen për kancerin e qafës së mitrës, të diskutohet për rezultate pozitive sa i përket kësaj sëmundje.

Edhe udhëheqësja e zyrës së UNFPA-së, Visare Mujko-Nimani, tha se kanceri i qafës së mitrës në shumicën e rasteve ndodh në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme ku nuk ka program të parandalimit të kancerit të qafës së mitrës apo ku nuk ka vaksinime të mirëfilltë.

Sipas saj, kjo ngjarje tregon përkushtimin e përbashkët që kanë ndërmarrë shumë organizata për luftimin e kancerit të qafës së mitrës.

E krejt në fund u bë prezantimi i të arriturave të projektit “Skriningu i kancerit të qafës së mitrës” nga Hana Buçinca, zyrtare e projekteve në AMC.

Ndryshe, Java Evropiane e Parandalimit të Kancerit të Qafës së Mitrës është një fushatë sensibilizuese evropiane, e cila ka si qëllim të rrisë informimin dhe ndërgjegjësimin për parandalimin dhe kapjen e hershme të kancerit të qafës së mitrës te femrat.

Back to top button