​Çeku: Sporti s’është për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen

Pas incidenteve të dhunshme në finalen e Superkupës së Kosovës në basketboll ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës, ka reaguar ashpër edhe ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.
Ai ka thënë aktet e dhunës dhe lëndimi i policëve gjatë kësaj ndeshje janë të turpshme, të papranueshme dhe të dënueshme.
“Në një periudhë aspak të lehtë për shtetin tonë për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës, lëndimi i policëve në një ndeshje basketbolli është veprim i turpshëm, i papranueshëm dhe i dënueshëm. Sporti nuk është luftë. Palestrat dhe fushat e sportit nuk janë për “trimat” që kanë problem me vetëpërmbajtjen. Për fajin e disave, jemi duke pësuar të gjithë, është duke pësuar sporti i Kosovës”, ka shkruar Çeku në Facebook.
I pari i MKRS-së ka shtuar se huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan ta shijojnë sportin.
“Ndeshjet e sportit janë momente argëtimi për familjet tona, për të gjitha grup-moshat pa dallim. Huliganizmi i disave është shndërruar në tmerrin e prindërve që duan të shijojnë sportin bashkë më fëmijët e tyre”, ka thënë ai.
Çeku gjithashtu ka kërkuar veprime dhe dënime të ashpra nga ana e federatave përkatëse ndaj akterëve të dhunës.
Këshilli për parandalimin e dhunës në sport do të mblidhet nesër në mëngjes për të trajtuar dhunën e shfaqur në ndeshjen e sontme të basketbollit mes Prishtinës dhe Trepçës.

Back to top button