Çfarë pas pranimit të propozimit të BE-së?

Zbatimi i propozimit evropian për normalizimin e raporteve, është hapi i radhës që Kosova dhe Serbia duhet të ndërmarrin në një periudhë relativisht të shkurtër kohore.
Propozimi, që palëve iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.
Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
BE-ja pret që puna për zbatimin e marrëveshjes të finalizohet para takimit të radhës të Këshillit Evropian, që mbahet më 23-24 mars.
“Jam i sigurt se Mirosllav Lajçak do të vazhdojë diplomacinë fluturuese dhe para takimit të Këshillit Evropian – në mes të marsit dhe në fund të marsit – ne të mund të finalizojmë të gjithë punën”, tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, pas takimit Kurti-Vuçiq.
Ai tha se Kurti dhe Vuçiq e pranuan propozimin evropian dhe u pajtuan se nuk ka nevojë për bisedime të mëtejme.
“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjes”, tha Borrell dhe shtoi se “negociata të mëtejme ende duhet të bëhen për të përcaktuar modalitetet specifike të zbatimit e dispozitave të marrëveshjes”.
Presidenti serb tha se një takim me Kurtin, nën ndërmjetësimin e BE-së, është paralajmëruar për 18 mars, në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkaq, BE-ja nuk specifikoi datën e takimit, por tha se pret që të ndodhë në mars.
“Kjo do të thotë se diplomacia fluturuese do të vazhdojë dhe unë do të thërras një takim mes dy liderëve gjatë marsit me qëllimin që të finalizojmë diskutimet e aneksit të zbatimit – që do të jetë udhërrëfyes për planin e zbatimit të marrëveshjes”, tha Borrell, duke porositur se në Bruksel presin që palët të angazhohen në këtë proces në mënyrë konstruktive.
Disa orë pas përfundimit të takimit në Bruksel, Bashkimi Evropian publikoi për herë të parë tekstin e plotë të propozimit të tij për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.
Ky propozim – drafte të të cilit kishin qarkulluar që nga viti i kaluar, kur iu dorëzua palëve – ka 11 nene, që synim kryesor ka të arrihet marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazë të drejtave të barabarta.
Propozimi synon që palët të respektojnë të drejtat sovrane të njëra-tjetrës, pavarësinë, autonominë, sovranitetin, integritetin territorial, të drejtën e vetëvendosjes dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimit.
Aty po ashtu parashihet njohja e simboleve dhe dokumenteve relevante, që do të mundësonin qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave.
Sa u përket të drejtave të komunitetit serb në Kosovë – që është komunitet joshumicë – propozimi parasheh mbrojtjen e tyre. Po ashtu thuhet se duke pasur për bazë instrumentet e Këshillit Evropian dhe përvojat ekzistuese evropiane, palët do të përkushtohen që ky komunitet të ketë një nivel të përshtatshëm të vetëqeverisjes në Kosovë, si dhe të gëzojë të drejtën e ndihmës financiare nga Serbia.
Po ashtu, me këtë propozim, palët pajtohen që të mos e pengojnë njëra-tjetrën, kur bëhet fjalë për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.
Përderisa për Kurtin takimi i 27 shkurtit ishte konstruktiv, për Vuçiqin ishte një takim “i vështirë”.
Kurti tha se në takim u konfirmua se propozimi është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.
“Ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit. Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve. Është marrëveshje e simetrisë, e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit në të ardhmen”, tha Kurti.
Kryeministri kosovar pretendoi se pala serbe nuk ishte e gatshme të nënshkruante marrëveshjen, ndërsa ai po. Por, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se takimi nuk kishte të bënte me pranimin apo mospranimin e propozimit.
“Unë pres ta shoh planin e zbatimit, para së gjithash planin e zbatimit të obligimeve të mëparshme”, tha ai, duke shtuar se ende duhet të punohet në udhërrëfyes.
Përderisa palët u pajtuan për propozimin, Serbia tha se insiston në themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Ky Asociacionin, për të cilin Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje (më 2013 dhe 2015), deri më tani është kundërshtuar nga Kurti, i cili druan se mund t’i ngjasojë Republikës Sërpska në Bosnjë e Hercegovinë, nëse ka kompetenca ekzekutive, ashtu siç kërkon Serbia.
Megjithatë, në propozim thuhet se palët konfirmojnë detyrimet e tyre për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të dialogut, që janë arritur më parë.
Përveç BE-së, edhe Shtetet e Bashkuara – që përkrahin propozimin evropian – vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova të zbatojë marrëveshjet për Asociacionin.
Më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se disa pika të Marrëveshjes mbi parimet për themelimin e Asociacionit të arritur po atë vit, nuk ishin në harmoni të aktit më të lartë juridik të shtetit. Megjithatë, Gjykata tha se ato mund të harmonizohen.
“Në radhë të parë është Asociacioni i komunave serbe”, tha Vuçiq pas takimit me Kurtin.
Në fillim të shkurtit të këtij viti, Kurti ka paraqitur gjashtë kushte për themelimin e Asociacionit, duke kërkuar që ai të mos jetë njëetnik, ta ndryshojë emrin dhe të mos ketë pushtet ekzekutiv.
Në propozimin evropian nuk përmendet decidivisht njohja e ndërsjellë, që Kurti vazhdimisht ka thënë se duhet të jetë në qendër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e plotë të raporteve me Serbinë.
Për Serbinë, njohja e pavarësisë së Kosovës, është thënë se është “vijë e kuqe”.
Megjithatë, në nenin dy thuhet se palët duhet të respektojnë pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të njëra-tjetrës.
Dy partitë kryesore opozitare në Kosovë, Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike ka reaguar ndaj propozimit evropian, duke kritikuar Kurtin se me këtë propozim, ka hequr dorë nga njohja e ndërsjellë dhe ka pranuar të themelojë Asociacionin.
Megjithatë, partia tjetër opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se kjo marrëveshje “është pranim faktik i pavarësisë së Kosovës”.
Propozimi evropian thuhet se përfaqëson një hap drejt normalizimit, që pritet të çojë drejt një marrëveshjeje ligjërisht të detyrueshme gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve.
Kosova dhe Serbia që nga viti 2011 zhvillojnë negociata për të arritur normalizimin e plotë. Megjithatë, palët kanë pikëpamje të ndryshme sa i përket marrëveshjes përfundimtare. Kosova insiston në njohje reciproke, e Serbia në një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

Back to top button