Çfarë votoi sot Komisioni për Administratë Publike?

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën shqyrtoi në parim të Projektligjin nr.08/L-128 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik.
Kryetarja Doarsa Kica-Xhelili, duke u thirrur në nenin 56 të rregullores së Kuvendit, bëri të ditur se ky komision është ngarkuar për ta shqyrtuar në parim këtë iniciativë ligjore, e iniciuar kjo nga gjashtë deputetë të grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Për të prezantuar dhe arsyetuar njëkohësisht projektligjin në fjalë, deputetja Mimoza Kusari-Lila para anëtarëve të komisionit tha se propozimi për plotësim ndryshim të Ligjit nr.06/L-114 për Zyrtarët Publik ka për qëllim që të plotësojë dhe ndryshojë ligjin aktual, në nenin 22, paragrafi 6, duke përjashtuar personelin akademik të universiteteve nga obligimi që të pezullojnë marrëdhënien e punës me rastin e zgjedhjes si deputet/e, nga data e certifikimit të tyre.
Sipas saj, kjo nismë ligjore, fokus primar ka ruajtjen e cilësisë së mësimdhënies në universitet dhe mos-shkëputjen e personelit akademik nga procesi arsimor, duke iu mundësuar kështu vazhdimin e procesit mësimor, në mënyrë që studentët të vazhdojnë të përfitojnë nga përvoja dhe angazhimi i tyre.
Duke e vlerësuar si të domosdoshëm këtë plotësim-ndryshim, anëtarët e komisionit njëzëri votuan për dhe i njëjti procedohet për seancë plenare.
Fare në fund, anëtarët e komisionit formuan edhe dy grupe punuese për monitorimin e dy ligjeve që janë nën mbikëqyrjen e këtij komisioni, të cilat do të asistohen edhe nga stafi i organizatës Demokraci +./21Media

Back to top button