Çifti përshtat bodrumin si “shtëpi bari”, arrestohet gruaja, burri ikën

 
Një çift bashkëshortësh në Shkodër kishin përshtatur bodrumin e banesës në ambient të përshtatshëm për kultivimin e kanabisit me anë të llambave ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.
Policia arrestoi në flagrancë pronaren e banesës Marina Vuksanaj, dhe po punohet për kapjen e bashkëshortit Gjovalin Vuksanaj.
“Gjatë zhvillimit të operacionit të koduar “Jeran” janë sekuestruar 139 kg lëndë bimore e dyshuar cannabis sativa, 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike, baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike dhe 1 automjet”, informoi sot (3 dhjetor) policia e Shkodrës.
Gjithashtu, gjatë operacionit, në këtë banesë është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”./oranews

Back to top button