Çitaku: Demokracia do të jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve

Vlora Çitaku, nënkryetare e Partisë Demokratike të Kosovës, u bëri thirrje qytetarëve me të drejt vote që të dalin të votojnë.
Në një konferencë për media, Çitaku tha se sot qytetarët e kanë mundësinë që të zgjedhin udhëheqësit më të mirë të komunave të tyre.
Sipas saj, zgjedhjet lokale janë për qytetarët, e jo politikanët.
“Të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, të moshuarit, gratë dhe burrat, prindërit tanë me votën e tyre sot do të fuqizojnë demokracinë dhe shtetin e Kosovës”, tha ajo.
Tutje, Çitaku theksoi se mbi 8 mijë aktivistë të PDK-së, të angazhuar në zgjedhje, po japin të dhëna inkurajuese dhe vlerësime pozitive.
“Shpresojmë shumë se do të kemi një ditë të mirë, ku demokracia do të jetë fituesi më i madh i këtyre zgjedhjeve”, përfundoi ajo./21Media

Back to top button