Çitaku e quan diplomaci për fillestarë postimin e Kurtit

Kurti ka thënë se kjo ishte hera e tretë e tij brenda dy vjetësh në Elysee

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku ka reaguar për shkrimin e kryeministrit Albin Kurti sa i përket vizitës së tij të tretë brenda dy vjetësh në Elysee të Francës.
Çitaku e ka quajtur diplomaci për fillestarët qasjen e Kurtit sa i përket vizitës së zhvilluar të enjten në Paris, ku u prit nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
“Për herë të tretë brenda dy viteve ne Elysee, tha Kryeministri me mburrje. Kryeministër, dy nga këto tri herë kanë qenë pritje për të gjithë udhëheqësit e shteteve (përfshirë Vuçiçin) si pjesë e konferencave ndërkombëtare”, ka shkruar më tej Çitaku në “Facebook”.
Duke e cilësuar si mburrje, Çitaku ka thënë se shkrimi i Kurtit është për keqardhje.

Kurti pas takimit me Macronin, ka shkruar në Twitter se të enjten ishte hera e tretë e tij brenda dy vjetësh në Elysee.
Në këtë shkrim Kurti ka falënderuar Macronin për propozimin franko-gjerman, si bazë e mirë për bisedimet për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë./21Media

Back to top button