Çitaku falënderon qytetarët: Rezultatet e para janë shumë inkurajuese për PDK-në

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku në një konferencë për media ka falënderuar  të gjithë qytetarët e Kosovës, që sot dëshmuan kulturë të lartë demokratike e politike, duke votuar në mënyrën më të civilizuar për të ardhmen e komunave të tyre.

Çitaku ka falënderuar të gjithë zyrtarët përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve, Policinë e Kosovës që u kujdes për sigurinë dhe të gjithë personelin tjetër të angazhuar në këto zgjedhje.

“Tani, të gjitha votat e qytetarëve ndodhen në kutitë e votimit dhe ftojmë të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që të numërojnë saktë secilën votë. Sot ishte dita vendimtare për të ardhmen katër vjeçare të komunave.”, tha ajo.

Çitaku  theksoi se sipas informacioneve të marra nga vëzhguesit PDK-së që janë angazhuar në gjithë territorin e vendit, rezultatet e para janë shumë pozitive dhe shumë inkurajuese për Partinë Demokratike të Kosovës.

“Tani presim konfirmimin zyrtar nga Komisoni Qendror i Zgjedhjeve.”, përfundoi ajo./21Media

Back to top button