Çitaku: Qe 162 ditë kemi një qeveri që ka uzurpuar zyret, kjo është pjesë e një plani të Kurtit

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se Kosova qe 162 ditë është pa institucione funksionale, pasi siç tha ajo kemi një qeveri që ka uzurpuar zyret dhe në mënyrë të jashtëligjshme vazhdon të marrë vendime.
Çitaku tha para deputetëve që po vazhdojnë të rrinë në sallën e Kuvendit pas dështimit të tentativës së 50, se Kurti këto 162 ditë ka tentuar të shuaj zërin e tyre.
Çitaku gjithashtu ka thënë se më pak sesa koha prej kur ka përfunduar procesi zgjedhor, ka marrë rënia e Murit të Berlinit e çlirimi i Kosovës nga NATO-ja e UÇK-ja.
“162 ditë pa institucione funksionale, pa kuvend të konstituuar, me një qeveri që ka uzurpuar zyret dhe kompetencat dhe që në mënyrë të jashtëligjshme vazhdon të marrë vendime që ndëshkojnë qytetarët e Republikës së Kosovës. Për 162 ditë Albin Kurti ka synuar të shuaj zërin tonë dhe të na pamundësojë ushtrimin e detyrave që na ka besuar qytetari. 162 ditë s’janë pak. Në më pak se kaq ditë ka ra muri i Berlinit dhe është unifikuar Gjermania. Në më pak se kaq ditë forcat aleate kanë marshuar nga Normandia në Paris. Në më pak se kaq ditë forcat e NATO-s së bashku me UÇK-në kanë çliruar Kosovën”, tha Çitaku.
Ajo theksoi se kaq ditë janë shumë për pensionistët, mjekët, mësimdhënësit e sektorin privat, dhe se për Kurtin s’janë shumë pasi e gjitha është një plan.
“Janë shumë për pensionistët, mësimdhënësit, për mjekët të cilëve u mungojnë barnat esenciale, për punëtorët e sektorit privat, për ndërmarrjet”, shtoi tutje ajo.
“Po për kë nuk janë shum 162 ditë? Për Albin Kurtin, sepse për të kjo kohë është pjesë e një plani”, tha Çitaku.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?