“Club Albania” fituese e çmimit ‘Shfaqja më e mirë’ në Artmania

Shfaqja “Club Albania” ka fitur çmimin “Shfaqja më e mirë” në Festivalin Artmania, në Gjakovë.
“Club Albania” e bazuar në “Pas vdekjes” – A.Z.Çajupi, u shfaq fillimisht në Amfiteatrin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, për të vazhduar rrugëtimin në “Hadi Shehu” të Gjakovës.
Atje, triumfoi si më e mira e Festivalit.
“Club Albania bazuar tek komedia Pas Vdekjes nga Andon Zako Cajupi është një shfaqje e cila hedh dritë mbi aktualitetin e një shoqërie e cila prej vitesh është nën hijen e reflektimit. Kërkimi i vazhdueshëm për të vërtetën, plogështia e funksioneve tona si dhe nevoja absurde për art, janë të pranishme njëjtë sikurse nënshtrimi përballë një realiteti gati të pandryshueshëm apo thyerjeve të mëdha shpirtërore të heronjëve të pakënduar, që provojnë përsëri mbase për herë të fundit, ta mbajnë gjallë shpresën dhe besimin se ende ekziston një mundësi, për të shpëtuar nga trishtimi, nga mjerimi në të cilin janë katandisur, në një shoqëri e cila megjithëse pretendon se njehë të metat e saj përsëri nuk ja del për ta ndërtuar atë që e ëndërron. Një shfaqje ku trajtohet nevoja njerëzore se çka do të flitet Pas Vdekjes – si fenomen i nevojes shoqërore!”, përshkruhet shfaqja.
Në shfaqjen me regji të Fatos Berishës, luajnë aktorët Armond Morina, Ard Islami, Armend Smajli, Maylinda Kosumovic, Naim Berisha, Teuta Krasniqi dhe Ylber Bardhi./21Media

Back to top button