Cramon: Mezi pres që Kosova të përparojë edhe për shumë

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon nëpërmjet një video ka uruar 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, duke i bërë thirrje autoriteteve të Kosovës që të tregojnë më shumë përmbajtje, mirëkuptim dhe mbi të gjitha më shumë empati kur kanë të bëjnë me ata që mund të ndihen të privuar.

Cramon ka në këtë ditë duhet të festojmë jo vetëm suksesin e deritanishëm të Kosovës, por edhe qëndresën dhe vendosmërinë e popullit të saj.

“Gëzuar ditëlindjen e 16-të. Gëzuar Ditën e pavarësisë. 16 vjet më parë, Kosova shpalli pavarësinë e saj duke shënuar një kapitull të ri në historinë e saj. Në këtë ditë duhet të festojmë jo vetëm suksesin e deritanishëm të Kosovës, por edhe qëndresën dhe vendosmërinë e popullit të saj. Më 17 shkurt kujtoj edhe presidentin e ndjerë Rugova dhe udhëheqjen e tij vizionare. Deklarata e Pavarësisë së Kosovës në vitin 2008, është një testament i përpjekjes së palodhshme të Presidentit Rugova dhe shpirtit të qëndrueshëm të popullit të Kosovës. Vizioni i tij për një Kosovë demokratike dhe gjithëpërfshirëse për një Kosovë multietnike ku të gjithë qytetarët jetojnë të lirë nga frika dhe diskriminimi hodhi themelet për kombin që festojmë sot. Plani i Ahtisarit, një kompromis vendimtar për të cilin ramë dakord në mbështetje të Kosovës së pavarur, mishëron parimet e multietnicitetit, demokracisë dhe mbrojtjes së pakicave. Ne nuk do të harrojmë rëndësinë e këtyre parimeve, pasi edhe 16 vjet më vonë, të gjitha ato janë jetike”, ka thënë ajo.

Sipas saj, ruajtja e karakterit multietnik të Kosovës nuk është vetëm çështje politike por është përkushtim për drejtësi, barazi dhe respekt për diversitetin.

Ajo ka shtuar se është një nderim për individët e panumërt që kanë punuar pa u lodhur për të promovuar unitetin në diversitet, duke pranuar se forca qëndron në dallimet tona.

“Ndërsa festojmë këtë përvjetor, është një mundësi tjetër për të thënë me zë të lartë se çdo qytetar i Kosovës, qoftë shqiptar, serb, goran, rom, egjiptian duhet të ndihet i vlerësuar dhe i përfshirë. E veçanta e Kosovës qëndron pikërisht në përkushtimin perëndimor për të treguar shembullin e një politike multietnike funksionale. Prandaj u bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të tregojnë më shumë përmbajtje, më shumë mirëkuptim dhe mbi të gjitha më shumë empati kur kanë të bëjnë me ata që mund të ndihen të privuar. Kur ne angazhohemi për idealet që mbrojti Presidenti Rugova, kur përpiqemi për Kosovën ku mbizotëron drejtësia, ku përqafohet multietniciteti dhe ku fryma e pajtimit fiton mbi ndarjen, ne mund të ndërtojmë një të ardhme që pasqyron më të mirën e vlerave dhe aspiratave të Kosovës. Mezi pres që Kosova të vazhdojë të lulëzojë dhe të përparojë edhe për shumë vite të tjera. Gëzuar Ditën e Pavarësisë”, tha ajo.

Back to top button