Daçiq për seancën e OKB-së: Serbia është e respektuar në skenën ndërkombëtare

Kryediplomati serb, Ivica Daçiq ka komentuar mbajtjen e seancës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën ku u përballën kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një intervistë për Kuririn serb, Daçiq tha se kjo tregon se “Serbia është e respektuar në skenën ndërkombëtare”, se pikëpamjet e saj rezonojnë dhe respektohen edhe nga siç tha “ata që mbështesin Prishtina më së shumti”.

“Serbia arriti disa gjëra shumë të rëndësishme, së pari u pranua kërkesa jonë për një seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit, pastaj arritëm të sigurohemi që seanca të jetë e hapur për publikun dhe në fund me fjalimin e presidentit Vuçiq, ne dhamë argumentin tonë më bindës për situatën në Kosovë dhe të cilën askush nuk mund ta përgënjeshtrojë”, tha Daçiq.

Ai ka thënë se është i vetëdijshëm se ka vende që nuk mund të pritet të ndryshojnë qëndrim për çështjen e Kosovës.

“Një seancë e Këshillit të Sigurimit nuk do t’i zgjidhë të gjitha problemet, sado bindëse të jetë për qëndrimin e Serbisë. Por nëse nuk do të kishte seancë, Kurti do ta kishte shumë më të lehtë të vazhdonte si më parë, do të ishte inkurajuar të shtypte edhe më shumë serbët e Kosovës”, tha Daçiq.

Back to top button