Dardanet U19 i nisin me fitore kualifikimet për Euro 2022 

Kombëtarja e Kosovës U19 në konkurrencën e femrave, e ka nisur në mënyrën më të mirë fushatën kualifikuese për Euro 2022 në Pore të Kroacisë.
Dardanet e reja të drejtuara nga Kushtrim Munishi, të martën në mesditë, kanë shënuar fitore në përballje me Letoninë, me rezultat 3:0, në kuadër Grupit 5 të Ligës B.
Kosova e ka dominuar plotësisht lojën dhe ka arritur të krijojë epërsi të hershme me golat e Leunora Xhemajt (2’) dhe Erona Bajramit (13’).
Ndërkohë, edhe në vazhdim të ndeshjes Dardanet U19 ka arritur që pa ndonjë ngarkesë të madhe ta menaxhojnë mirë lojën dhe të shënojnë edhe golin e tretë nëpërmjet Fortesa Berishës (70’).
Ndeshjen e radhës Kosova do ta luajë me Lihtenshtajnin, 22 tetor, derisa ndeshjen më të vështirë pritet ta ketë më 25 tetor kundër Kroacisë./21Media

Back to top button