KQZ-ja ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime

Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, njoftoi se në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pasi është pranuar materialin zgjedhor nga të gjitha vendvotimet, po bëhet futja e të dhënave në sistem nga formularët e rezultateve të kandidatëve për kryetarë të komunave.
Pas përfundimit të procedurave në QNR, Elezi tha se do të kenë një listë të saktë të numrit të votave me kusht dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Po ashtu, shërbimi votues i KQZ-së është duke bërë verifikimin e zarfeve të supozuara me fletëvotime nga jashtë Kosovës, të cilat kanë ardhur gjatë periudhës 15 shtator – 15 tetor.
Gjatë kësaj periudhe, KQZ-ja ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime.
“Gjatë procesit të verifikimit do të kemi një pasqyrë të qartë se sa është numri i saktë i fletëvotimeve dhe nëse janë dërguar nga votuesit që i takon listës votuese jashtë Kosovës. Pasi të përfundojnë të gjitha këto aktivitete, atëherë do të fillojmë me numërimin e votave me kusht; votave të personave me nevoja të veçanta dhe votave të ardhura me postë. Kjo do të bëhet gjatë ditëve në vazhdim dhe planifikojmë ta përmbyllim gjatë kësaj jave”, tha Elezi.
Në konferencën për media, Elezi tha se duke e ditur se raundi i dytë i zgjedhjeve, sipas ligjit për zgjedhjet lokale, duhet të mbahet 4 javë pas raundit të parë, KQZ-ja është e përqendruar në përfundimin e të gjitha procedurave lidhur me zgjedhjet për kryetarë të komunave, pra për të shpallur dhe certifikuar rezultatet përfundimtare të tyre, në mënyrë që të arrijmë afatet ligjore.
Tutje, ai theksoi se KQZ-ja do ta përcaktojë me vendim periudhën e fushatës zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatë e tyre që për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave.
“Sa i përket zgjedhjeve për kuvende komunale, ju njoftoj se këtu në QNR është duke u bërë futja në sistem e të dhënave nga formularët e rezultateve të subjekteve politike dhe të kandidatëve”, përfundoi Elezi./21Media

Back to top button