Daul u bën thirrje grave dhe të rinjëve që të votojnë

Sipas Daulit LDK-ja është zgjidhja më e mirë për ta dërguar Kosovën përpara

Presidenti i Partive Popullore Evropiane (PPE), Joseph Daul, në një takim me Forumin e Gruas të LDK-së, u ka bërë thirrje grave dhe të rinjve që të dalin dhe të votojnë në zgjedhjet e 11 qershorit dhe të vendosin për të ardhmen e vendit të tyre.

“Të rinjtë kanë një vend të rëndësishëm në politikë, siç është Sebastian Kurtz, që sot është ministër i Punëve të Jashtme në Austri. Të gjithë ata që kanë marrë pjesë në forumet e të rinjve, mund të jenë pjesë e partive të tyre, për shembull në LDK, dhe në të ardhmen mund të jenë ministra apo drejtues të lartë të shtetit”, ka thënë Daul.

Edhe pse LDK thirri mediat në këtë takim, ato nuk u lejuan të jenë prezent gjatë gjithë kohës. Ndërkohë sipas një komunikate për media, Daul ka thënë se LDK-ja është zgjidhja më e mirë për ta dërguar Kosovën në Evropë. “Alternativat tjera e dërgojnë Kosovën në qorrsokak”, ka thënë Daul.

Kryetarja e Forumit të Gruas e LDK-së, Lirije Kajtazi ka thënë se kjo parti u ka dhënë hapësirë të mjaftueshme grave dhe vajzave në vendimmarrje. Ajo ka thënë se është shumë e bindur se edhe kryeministri i ri Avdullah Hoti, do të vazhdojë përkrahjen për gratë, pasi që kjo po vërehet edhe në programin e tij qeverisës.

Kandidati për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa, Avdullah Hoti, ka thënë se financimi i projekteve të grave dhe vajzave, përmes granteve dhe subvencioneve do të jetë prioritet në fushën barazisë gjinore.

Ai ka thënë se buxheti i MPMS-së do të rritet në mënyrë progresive dhe përmes masave aktive të tregut të punës, si: subvencionimi i pagave, trajnimi në punë, praktika në punë, përmes granteve të vetëpunësimit do të targetohen gratë, të rinjtë, të papunët afatgjatë, si dhe përfituesit e ndihmave sociale./21Media

Back to top button