Davos, Kurti u takua me Ministrin e Jashtëm norvegjez: Sot firmosim marrëveshjen për EFTA

Kryeministri i Kosovës , Albin Kurti gjatë qëndrimit të tij në Davos në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Espen Barth Eide
“Sot do ta kemi nënshkrimin e marrëveshjes për EFTA e cila është një arritje e madhe. Ne kemi patur rritje të konsiderueshme në katër vitet e fundit, 6 për qind të BPV-së mesatarisht, duke mos shkuar asnjëherë poshtë 4 për qind. Ne duam të vazhdojmë të rritemi por eksportet janë shumë të rëndësishme, e eksporti i të mirave dhe shërbimeve është i përfshirë tashmë në EFTA”, u shpreh kryeministri në fillim të takimit.
Në vijim, kryeministri e falënderoi shtetin e Norvegjisë për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës e veçanërisht në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare e rrugëtimin në procesin e integrimit evropian.
Bëhet e ditur se Palët biseduan edhe rreth sfidave të përbashkëta të sigurisë e adresimit të tyre dhe rëndësisë së bashkërendimit. Kryeministri Kurti theksoi edhe rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, krahas linjëzimit të Kosovës me BE-në dhe shtetet anëtare në dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës dhe mbështetjes së sanksioneve ndaj Rusisë./21Media