Dega e LDK-së në Dragash shënoi 27-vjetorin e themelimit

Sipas Mustafës, LDK-ja ka një barrë të veçantë dhe po angazhohet që ta kapërcejë një fazë që nuk është shumë e lehtë

Lidhja Demokratike e Kosovës tash ka një barrë të veçantë dhe po angazhohet që ta kapërcejë një fazë që nuk është shumë e lehtë, me nevojën e zhvillimit ekonomik, me procese evropiane që duhet të kalohen domosdoshmërisht, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm.

Kështu u tha të shtunën me rastin e shënimit të 27-vjetorit të themelimit të Degës së LDK-së në Dragash ku ishte i pranishëm edhe kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministër i Republikës së Kosovës, Akademik Isa Mustafa.

Kryetari i LDK-së në Dragash, Selim Kryeziu, theksoi se Dega që ai drejton është duke punuar me përgjegjësi që këtë vit të kthehet në qeverisjen e Komunës së Dragashit, duke theksuar se Dragashit i duhet një qeverisje më e përgjegjshme e cila sigurohet pikërisht nga programi i LDK-së.

Ai tha se Dega e LDK-së në Dragash, një javë më parë ka mbajtur mbledhjen e kryesisë, dhe ka shprehur edhe një herë përkrahjen për Qeverinë e Kosovës të kryesuar nga Isa Mustafa, dhe të njëjtën kohë kanë kërkuar dhe kanë inkurajuar deputetët e Parlamentit të Kosovës ta votojnë demarkacionin.

“Në këtë mënyrë ne do t’i mundësojmë qytetarëve tanë lirinë e lëvizjes ashtu qysh e kanë të gjithë qytetarët e Evropës. Nëse Komisioni Shtetëror thotë që Kosova nuk humb asnjë milimetër territor, nëse Qeveria e thotë të njëjtën gjë, nëse Akademia e Shkencave dhe Arteve dhe kryetari i saj thotë se Kosova nuk humb asnjë milimetër tokë, nëse BE-ja thotë se është në rregull, nëse SHBA-të kanë thënë se Kosova nuk humb, s’besoj se amerikanët dhe NATO që luftuan për ta çliruar Kosovën, që më pas një copë territori t’ia japin një shteti tjetër”, tha ndër të tjera Kryeziu.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksoi se tani LDK-ja ka një barrë të veçantë dhe po angazhohet që ta kapërcejë një fazë që nuk është shumë e lehtë, me papunësi, me nevojën e zhvillimit ekonomik, me procese evropiane që duhet të kalohen domosdoshmërisht, në mënyrë që qytetarët e vendit të jenë të barabartë me të tjerët dhe të lëvizin lirshëm.

“Unitetin në LDK e shoh kur njerëzit tanë i respektojnë qëndrimet e forumeve, të Kuvendit të LDK-së, qëndrimet e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, qëndrimet e Kryesisë dhe çdo strukture të LDK-së. Duhet të jemi bashkë në qëndrime, në politikat dhe programin politik të LDK-së”, theksoi kryetari Mustafa.

Ai shprehu mirënjohje për Degën e Dragashit, për përkushtimin dhe përkrahjen e proceseve integruese pa të cilat nuk mund të shkohet përpara, në miqësi të përhershme me SHBA-të.

Back to top button