Dega e LDK-së në Istog shënoi 27-vjetorin e themelimit

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog shënoi sot 27-vjetorin e themelimit

Kryetari i LDK-së, njëherësh kryeministri në largim i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë të shtunën në Istog se koalicioni qeverisës me PDK-në ishte bërë për të mirën e Kosovës, por, siç u shpreh ai, ata që e bën këtë veprim tash nuk e tradhtuan LDK-në, por ata e tradhtuan veten.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog shënoi sot 27-vjetorin e themelimit, ku bashkë me shumë simpatizantë dhe qytetarë të Istogut, ishte i pranishëm edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

Duke folur për koalicionin qeverisës të deritashëm, kryetari Mustafa tha se nëse do të ishin kthyer sërish në vitin 2014, vendimi do të ishte i njëjtë, pasi koalicioni me PDK-në është bërë për të mirën e Kosovës.

“Por, ata që e bënë këtë veprim tani, ata nuk na tradhtuan ne, ata e tradhtuan vetën, sepse patën shpresë se i shkojnë në fund kësaj pune, por e panë që nuk mundën me ne. Ju siguroj që Qeveria ka punuar mirë, ju siguroj që Qeveria i dha një kurs të veçantë zhvillimit ekonomik të këtij vendi që nuk e pati asnjëherë, Qeveria ka dalë e pa korruptuar dhe ministrat kanë qenë ata që kanë punuar mirë, ju siguroj që kemi bashkëpunuar mirë me BE-në dhe SHBA-të dhe ju siguroj që kemi dhënë një shembull të mirë se si duhet qeverisur Kosova, dhe kjo është me rëndësi, sepse nuk ka rëndësi sa kemi qeverisur, por ajo çfarë kemi bërë”, tha Mustafa.

Mustafa, po ashtu, theksoi se me bashkëpunëtorë para dy vitesh është vendosur se duhet të hapet rrugë për kuadro dhe për njerëz të rinj.

“Ne nuk do të punojmë me parulla të fillimit të ri me vese dhe praktika të vjetra, ne do të u japim shans njerëzve të rinj, dhe do të ofrojmë perspektivë për vendin dhe ju sigurojë që do të ofrojmë kryetarë komunash e ministra të mrekullueshëm që dhanë shembull se si duhet qeverisur vendi”, theksoi kryetari Mustafa, duke bërë të ditur se së bashku me nënkryetarët, kryetarët e degëve dhe me strukturat e LDK-së, do të vendoset kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i Kosovës nga LDK-ja.

Kryetari i Istogut, njëherësh nënkryetar i LDK-së, Haki Rugova përshëndeti të pranishmit dhe i falënderoi të gjithë aktivistët e LDK-së në Istog të cilët dhanë shumë për themelimin dhe fitoret e njëpasnjëshme të kësaj dege. Ai e përgëzoi punën e Mustafës dhe sukseset e tij të dukshme në krye të Qeverisë së Kosovës.

Back to top button