Delegacioni i Belgjikës: Kosova duhet të jetë anëtare e asociuar e Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s

​(Lajm i përditësuar)

Delegacioni i Belgjikës: Kosova duhet të jetë anëtare e asociuar e Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s

Kreu i delegacionit belg në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Theo Francken, ka thënë se Belgjika është pro anëtarësimit të Kosovës në AP të NATO-s si anëtare e asociuar.

Francken, bashkë me një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës, u takua sot më 14 korrik me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në AP të NATO-s.

“Kosova mund dhe duhet të jetë anëtar i asociuar i Asamblesë së Përgjithshme të NATO-s, ky do të ishte një hap i mirë i integrimit. AP-ja e NATO-s e ka të rëndëishme ta diskutojnë stabilitetin dhe sigurinë në Ballkanin Perëndimor, kjo mbetet prioritet për ne”, tha Francken në konferencën për media pas takimit.

Aktualisht, Kuvendi i Kosovës është pjesë e kësaj Asambleje Parlamentare si “delegacion vëzhgues”, njëjtë si Australia, Egjipti, Japonia, Koreja e Jugut, Kazakistani, Palestina dhe Tunizia. Ndërsa, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut janë delegacione anëtare.

Nëse Kosova bëhet anëtare e këtij organi si delegacion i asociuar, ajo do t’i bashkohej Serbisë dhe Bosnjes dhe Hercegovinës nga rajoni.

Vizita e delegacionit bleg vjen në një kohë tensionesh në veri të Kosovës, shkaku i të cilave NATO ka angazhuar 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë të dislokuar në Kosovë.

Gjatë konferencës për media, përfaqësuesi i delegacionit të Kuvendit të Kosovës, deputeti Driton Hyseni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, shprehu falënderimin për përkrahjen nga delegacioni i Belgjikës.

Ai tha se tre deputetet e Parlamentit të Belgjikës e konfirmuan se përkrahin Kosovën për integrim në Bashkim Evropian dhe NATO, ashtu që “përnjëmend Kosova të mos ndihet e lënë anash, por të jetë pjesë e familjes së vlerave evropiane, ashtu siç jemi”.

Me delegacionin belg do të takohet edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe më vonë edhe kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrim Evropian./rel

Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot qëndron në Kosovë

Një delegacion nga Parlamenti Federal i Belgjikës në NATO sot do të qëndrojë në Kosovë, ku do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe me përfaqësues të institucioneve të sigurisë.

Fillimisht takim do të ketë me delegacionin e Kuvendit të Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme të NATO-s, ku në ora 9:20 do të kenë konferencë të përbashkët për media.

Pas konferencës, delegacionin nga Parlamenti Federal i Belgjikës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s do të pritet nga kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Pastaj delegacioni i Belgjikës në AP të NATO-s takon kryetarët dhe zëvendëskryetarët e Komisionit për Mbrojtje dhe Siguri, Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë dhe Komisionit për Integrime Evropiane.

Back to top button