Delegacioni nga Spanja viziton Kosovën si pjesë e “Manifesta 14 Prishtina”

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka pritur në takim delegacionin nga Spanja që kanë ardhur për ta vizituar Kosovën si pjesë e “Manifesta 14 Prishtina”.
Delegacioni i përbërë nga Jordi Marti, nënkryetar për kulturë i komunës së Barcelonës, Eva Soria Puig, drejtoreshë në Institutin e Kulturës të Barcelonës, dhe Marta Clari, gjithashtu drejtore në komunën e Barcelonës, u njoftuan më shumë me skenën kulturore të Kosovës.
Gjatë bashkëbisedimit u diskutuan mundësitë e shkëmbimit të artistëve mes Prishtinës dhe Barcelonës, bashkëpunimit të institucioneve lokale dhe qendrore të të dyja vendeve. Ministri Çeku e njoftoi delegacionin më shumë me të arriturat e kulturës në Kosovë, me skenën e bujshme të artit bashkëkohor, sukseset ndërkombëtare të muzikantëve kosovar, dhe për industrinë shumë të suksesshme të filmit.
Gjithashtu, u diskutua për përvojat e organizimit të “Manifesta 14 Prishtina” në ndihmë të organizimit të Manifesta 15 Barcelona, e cila do të mbahet në vitin 2024 në Barcelonë, ndërsa ftuan ministrin Çeku për të vizituar edicionin e ardhshëm të Manifesta./21Media

Back to top button