Dënohet fjalori i deputetëve në seancën e djeshme

 
Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, ka reaguar pas diskutimeve të djeshme në Kuvendin e Kosovës lidhur me Kodin Civil.
KLMDNj e ka quajtur fjalor të papërmbajtur, degradues, fyes dhe përjashtues që deputetët e Kuvendit të Kosovës e përdorin kryesisht në mungesë të fakteve dhe për qëllime politike.
“Me rastin e diskutimeve për Kodin Civil në Kuvendin e Kosovës pati diskutime të papranueshme nga aspekti i të drejtave të njeriut dhe nga aspekti i mandatit të deputetit me ç’rast u fyenë rëndë pjesëtarët e një komunitetit me orientim seksual ndryshe e që nuk do të duhej të tolerohej sikur që deputetët e tillë do të duhej të sanksionoheshin për këtë fjalor përjashtues, fyes, degradues, diskriminues dhe racist.”, thuhet në reagimin e KLMDNj.
Megjithatë KMDLNj e respekton, si të drejtë të njeriut edhe mospajtimin e disa deputetëve më këtë Kod Civil.
“E drejta e pakundërshtueshme dhe e pamohueshme e deputetit që të votojë në bazë të bindjeve që i ka, vullnetit dhe pa iu nënshtruar asnjë presioni nuk nënkupton edhe të drejtën që të fyejë dhe diskriminojë të tjerët edhe nëse nuk pajtohen me asgjë me përmbajtjen e ligjit të propozuar. Mosvotimin e Kodit Civil KMDLNj –ë e konsideron më shumë si lojë politike, të pozitës dhe opozites sepse, pa asnjë dyshim ky Kod Civil do të votohet në një të ardhme të afërt prandaj deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të tregohen shumë të kujdesshëm dhe të përmbajtur për fjalorin që e përdorin.”, thuhet tutje në reagim.

Back to top button