Denoncimet për ngacmim seksual ndaj profesorit Krasniqi, UP: Këshilli i Etikës po e trajton rastin

Universiteti i Prishtinës përmes një komunikate për media është deklaruar lidhur me denoncimet e paraqitura ndaj profesorit Xhevat Krasniqi, i cili po akuzohet nga disa studente të Fakultetit të Mjekësisë për ngacmim seksual.

Universiteti i Prishtinës ka bërë të ditur se rasti i adresuar nuk do të ketë përjashtim dhe do të kalojë në Këshill të Etikës.

Derisa, Këshilli i Etikës vlerëson se lidhur me rastin nevojitet një hapësirë kohore që të trajtohet me seriozitet.

“Sqarojmë se rasti i adresuar, pretendohet të ketë ndodhur para një viti e gjysmë (tetor/nëntor 2022, dhe janar/shkurt 2023). Përkundër kësaj, rasti është adresuar në Këshill të Etikës vetëm në mes të marsit 2024. Kurdo që një rast paraqitet, ai merret dhe trajtohet me seriozitetin e duhur dhe procedurat e paracaktuara, por nëse është dashur kaq kohë e gjatë për ta paraqitur, Këshilli vlerëson se meriton një hapësirë kohore, që gjithsesi është shumë më e arsyeshme se kjo më sipër, për të punuar i lirë dhe, mbi të gjitha, për t’u siguruar që dëgjon dhe shqyrton deklarimin e secilës palë, të përfshirë në këtë çështje dhe që duhet dëgjuar. Në këtë drejtim, Këshilli vlerëson që nuk ka as vend dhe as arsye për dramatizim të situatës”, thuhet në komunikatë.

Sipas UP-së, rasti po trajtohet me urgjencë dhe se Këshilli ka mbajtur tri seanca.

“Përkundrejt konsideratave të mësipërme, duke pasur parasysh natyrën e pretendimit, Këshilli i Etikës megjithatë ka pranuar ta trajtojë këtë rast me urgjencë, gjë që është duke e bërë. Mbi këtë bazë, Këshilli deri më tani ka mbajtur tri seanca, të cilat janë janë zhvilluar me qëllim dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga vetë pala denoncuese”, shkruhet në komunikatën për media.

Më tej, në njoftim thuhet Këshilli i Etikës, e kupton dhe pranon të drejtën e protestës, por u bën thirrje të gjitha palëve të përfshira, si dhe palëve të treta, që protestat të zhvillohen në mënyrë demokratike, në një mënyrë që nuk ushtron presion dhe nuk pengon kryerjen e detyrave të Këshillit të Etikës.

“UP iu rikujton të gjitha palëve që, ndonëse vendimet e Këshillit të Etikës janë të rëndësishme, ato nuk paraqesin vendime të formës së prerë. Prandaj, secila palë gëzon të drejtën për t’i adresuar pretendimet edhe në instanca të tjera, përfshirë ato gjyqësore”.

Të enjten, Policia e Kosovës i ka shpërndarë me forcë aktivistët e Lëvizjes Feministe Studentore dhe aktivistë të tjerë që protestuan që nga mëngjesi para Rektoratit për shkarkimin e profesorit Xhevat Krasniqi./21Media

Back to top button