Depresioni te fëmijët, për shkaktarët, pasojat dhe tejkalimin tregon psikologia për RTV21

 
Depresioni është një çrregullim mendor i karakterizuar nga pakënaqësi ose nervozizëm të zgjatur, i shoqëruar nga një grup shenjash dhe simptomash somatike dhe njohëse si lodhja, problemet me gjumin, humbja e oreksit, humbja e angazhimit, vetëvlerësim i ulët, vështirësi në përqendrim dhe mendime të përsëritura suicidale.
Psikologia klinike Edona Isufi-Canolli ka shpjeguar për rtv21.tv se çfarë e shkakton depresionin te fëmijët.

Psikologia ka thënë se depresioni në fëmijëri dhe adoleshencë është i ngjashëm me çrregullimin depresiv madhor të të rriturve, megjithëse të rinjtë që vuajnë mund të shfaqin nervozizëm të shtuar ose moskontroll të sjelljes në vend të ndjenjave më të zakonshme të trishtimit, të zbrazët ose të pashpresë që shihen tek të rriturit. “Fëmijët që janë nën stres, që përjetojnë humbje, çrregullime të sjelljes ose ankth janë në një rrezik më të lartë për depresion. Depresioni i fëmijërisë shpesh shoqërohet me çrregullime mendore jashtë çrregullimeve të tjera të humorit; më së shpeshti çrregullimi i ankthit dhe çrregullimi i sjelljes”, ka thënë Isufi-Canolli.
Psikologia tutje ka shpjeguar se depresioni i fëmijërisë është i ndryshëm nga emocionet normale dhe të përditshme që kalojnë fëmijët derisa zhvillohen. “Vetëm për shkak se një fëmijë duket i trishtuar nuk do të thotë se ai ka depresion. Por nëse trishtimi bëhet i vazhdueshëm ose ndërhyn në aktivitetet normale shoqërore, interesat, detyrat e shkollës ose jetën familjare, mund të nënkuptojë se ata kanë një sëmundje depresive”, ka thënë psikologia Edona Isufi-Canolli.

Psikologia tutje ka treguar për shkaktarët e depresionit te fëmijët.
Ajo ka thënë se shkaktarët e depresionit te fëmijët mund të jenë prej më të ndryshmeve duke filluar prej: historisë familjare, nëse brenda familjes ka persona të cilët kanë vuajtur nga depresioni atëherë predispozitat që edhe fëmija të vuajë nga depresioni janë shumë të mëdha.
Sipas psikologes, shkaktar tjetër është: shëndeti fizik i fëmijës, nëse fëmija përballet me probleme fizike, gjasat janë shumë të larta që të përballen edhe me depresionin. “Një ndër shkaktarët e depresionit tek fëmijët janë edhe ngjarjet e jetës siç janë: bullizimi, abuzimi, ndarja e prindërve(divorci), trauma, fillimi i një periudhe të re siç mund të jetë shkolla etj. Pra të gjithë këta shkaktarët kanë impakt direkt tek fëmijët që mund të vuajnë nga depresioni”, ka shpjeguar psikologia në një intervistë për rtv21.tv.
Psikologia ka thënë se fëmijët në depresion ndjekin në mënyrë selektive karakteristikat negative të mjedisit dhe kjo nga ana e tyre i bën ata të përfshihen në njohje depresive dhe modele sjelljeje të papërshtatshme, të vetëmposhtura, të cilat ngulitin më tej gjendjen e tyre depresive. “Fëmijët në depresion e përshkruajnë veten, botën dhe të ardhmen në terma negativë. Ata e vlerësojnë veten si të pavlefshëm dhe shpesh herë janë kritikë për arritjet e tyre akademike, sportive, muzikore dhe shoqërore. Shpesh ky vetëvlersim negative shprehet si fajtor për mosrespektimin e standardeve të caktuara shoqërore ose distancimin nga të tjerët. Zakonisht ata e shohin botën e tyre, përfshirë familjen, miqtë dhe shkollën si të parregullta, kritike dhe armiqësore ose apatike”, ka shpjeguar psikologia.

Psikologia në intervistën për rtv21.tv ka treguar se cilat janë shenjat dhe simptomat e depresionit te fëmijët.
Ajo ka thënë se simptomat mund të jenë prej më të ndryshmeve: “Gjendje depresive gjatë gjithë ditës, ndjehet i trishtuar, i pa shpresë, i irrituar. Interesi ose kënaqësia e zvogëluar dukshëm, pagjumësia ose hypersomnia po thuajse çdo ditë. Lodhje humbje e energjisë, ndjenje faji, kanë mungesë për të menduar ose përqendruar në një aktivitet. Humbje e konsiderueshme në peshë ose e kundërta shtimi në peshë. Pra të gjitha këto simptoma shkaktojnë shqetësime ose dëmtime klinikisht të rëndësishme në funksione sociale, emocionale ose në fusha të tjera të rëndësishme”.
Ajo ka theksuar se shenjat të cilat vihen në dukje se fëmija po ndihet i depresionuar janë prej më të ndryshmeve, mirëpo ka cekur disa prej tyre: “izolim social, refuzojnë ushqimin, qajnë pa arsye, sillen në mënyrë agresive, vështirësi në përqendrim, lodhje e shpeshtë apo mungesë energjie. Gjithashtu shumica e fëmijëve me depresion kanë perfomancë të dobët akademike, humbje të interesit në aktivitetet shoqërore”.

Psikologia ka shpjeguar llojet e depresionit te fëmijët.
Isufi-Canolli ka thënë se janë disa lloje të depresionit: “çrregullimi i humorit ku fëmija shpesh herë ka shpërthime të tilla si zemërimi, irriturishmëri si dhe agresion. Çrregullimi i humorit depresiv karakteristikë e këtij çrregullimi është kur fëmija përshkruan gjendje depresive si pasojë e humbjes të ndonjë personi brenda familjes siç është vdekja, ose edhe ndarja e prindërve. Çrregullimi afektiv sezonal ku fëmija pëson luhatje të humorit varësisht prej ndryshimit të stinëve”.
Psikologia klinike Edona Isufi-Canolli tutje ka thënë se aktualisht depresioni prek rreth 0.9% te fëmijët e moshës parashkollore, 1.9% te fëmijët e moshës shkollore dhe 4.7% tek adoleshentët.
“Depresioni ndodhë të shfaqet shpesh së bashku me çrregullime të tjera, veçanërisht tek fëmijët e referuar për trajtim. Në një studim për depresionin në fëmijëri, normat e komobirditetit variojnë prej 10-17% janë gjetur çrregullime në sjellje, çrregullime ankthi dhe çrregullime të deficitit të vëmendjes. Depresioni është më i zakonshëm tek adoleshentët sesa para adoleshentët. Shkalla e ngjashme e depresionit ndodh tek djemtë dhe vajzat para adoleshencës, por në adoleshencë prevalenca e depresionit është dukshëm më e lartë”, ka treguar psikologia për rtv21.tv.

Psikologia tutje ka treguar se si trajtohet depresioni te femijët. Ajo ka thënë se ekzistojnë lloje të ndryshme të terapisë që konsiderohen “efektive” për trajtimin e depresionit, që do të thotë se ato janë studiuar dhe testuar klinikisht se janë efektive.
Psikologia ka përmendur disa prej llojeve të terapive:
Terapia konjitive e sjelljes (CBT)
Terapia konjitive e sjelljes është terapia standarde e artë për trajtimin e fëmijëve dhe adoleshentëve me depresion. CBT funksionon duke u dhënë njerëzve aftësi për t’u përballur me simptoma të tilla si disponimi i depresionit dhe mendimet e padobishme si “askush nuk më pëlqen” ose “gjërat do të jenë gjithmonë kështu”. Në CBT fëmijët dhe terapistët bashkëpunojnë në mënyrë aktive për të përmbushur qëllimet e përcaktuara, si kapja e atyre modeleve të mendimit të padobishëm dhe përmirësimi i aftësisë për zgjidhjen e problemeve, si dhe fuqizimi i mendimeve pozitive.
Terapia ndërpersonale
Terapia ndërpersonale funksionon duke adresuar marrëdhëniet e një fëmije për t’i bërë ata më të shëndetshëm dhe mbështetës. Në këtë terapi fëmijët mësojnë aftësi për të komunikuar më mirë ndjenjat dhe pritshmëritë e tyre, ata ndërtojnë aftësi për zgjidhjen e problemeve për trajtimin e konflikteve dhe mësojnë të vëzhgojnë kur marrëdhëniet e tyre mund të ndikojnë në disponimin e tyre.
Terapia familjare
Familjet duhet të përfshihen gjithmonë në trajtimin e depresionit të një fëmije, një pjesë e trajtimit, veçanërisht në fillim, është të mësojmë prindërit për depresionin dhe mënyrën se si funksionon terapia, që ta kenë më të lehtë trajtimin. Është vërtetë e rëndësishme që prindërit të kuptojnë konceptet pas trajtimeve në mënyrë që ata të mund ta stërvitin fëmijën e tyre, çdo ditë, për të përdorur aftësitë që ata po mësojnë.
Terapia e lojës
Terapia e lojës është gjithashtu një mënyrë e mirë për të ndihmuar fëmijët kur ata përballen me probleme të ndryshme. Pra loja është përcaktuar si një mënyrë e komunikimit me të cilët fëmijët i japin kuptim botës së tyre. Është  pikërisht loja ku fëmija duke bashkëpunuar me një terapist të ndjeshëm, krijon marrëdhënie besimi me fëmijën, e ndihmon atë që të menaxhojë problemin që aktualisht fëmija po kalon./21Media

Back to top button