​Deputeti i Listës Guxo i reagon PDK-së: Presidentja Osmani ka pasur arritje të mëdha

(Lajm i përditësuar)
Deputeti i Listës Guxo, në kuadër të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli i është kundërpërgjigjur Partisë Demokratike të Kosovës(PDK), për kritikat karshi presidentes Vjosa Osmani.
Në seancën e Kuvendit, deputeti Avdyli tha se presidentja Osmani ka pasur arritje të mëdha gjatë vitit 2022.
“Meqenëse në këtë parlament në javën e kaluar na kanë munguar deputetët që nuk e kanë dëgju fjalimin e presidentes, unë ju rekomandoj të dëgjojnë në youtube dhe të shohin se çfarë arritje të mëdha dhe takimet e presidentes me gjithë akterët e nevojshëm dhe politikës botërore, nga presidenti Biden tek presidenti Scholz dhe gjithë presidentët tjerë. Puna e saj flet dhe nuk ka nevojë që ne sot të flasim dhe prezantojmë faktet”, tha ai.
Në seancën e sotme, kritika karshi rolit të presidentes Osmani gjatë këtij viti adresoi deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha.
Kadrijaj-Kurtit: E keni bërë llugë në veri, po i bëni shërbime Vuçiqit
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se po i bënë shërbime presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Ajo në seancën e sotme të Kuvendit, u shpreh e çuditur, siç tha për qetësinë e kryeministrit Kurti, derisa e ka bërë “llugë” me situatën në veri.
“Kryeministër po më vjen mirë që po ki kohë se dy ditë me qëndru këtu ulur dhe me dëgju llafe. Përbesë po më doket se jam duke jetuar në Zvicër apo Amerikë. Është duke më çudit kjo qetësia jote, po mendoj se është duke zbatuar rendi dhe ligji në krejt Kosovën. Po mendoj se s’ka barrikada dhe atë realitet që po e shoh është një ëndërr e keqe, pasi kur po vi këtu në parlament dhe po të shoh duke qëndru qetësisht, për besë po çuditem me juve. Ndoshta kjo është dëshira juve që keni pas me bërë këtë vend llugë dhe me i bërë shërbim Vuqiqit dhe tash po rrin i qetë se ke realizu atë dëshirë të Vuçiqit”, tha ajo.
Quni: Qeveria e Kosovës mos të vazhdojë të bie në kurthet e Serbisë
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, siç tha mos të vazhdojë të bie në kurthin e Serbisë.
Ai në seancën e Kuvendit të Kosovës, tha se situata e tensionuar në veri erdhi si pasojë e mos koordinimit me aleatët ndërkombëtar.
“Vetëm një detyrë e ka kjo qeveri, që mos të vazhdojë të bie në kurthet e kundërshtarit. Në sferën ushtarake të mbrojtjes dhe sigurisë, të njohësh armikun është detyrë, rrjedhimisht edhe përparësi e madhe. Ne e njohim më së miri kundërshtarët e shtetit tonë dhe demokracisë perëndimore. Prandaj do të ishte e pafalshme nëse ne vazhdojmë të bien në kurthin e Serbisë”, tha ai.
Deputeti opozitar tha se Policia e Kosovës është në krye të detyrës, megjithëse i përmendi kryeministrit Kurti, siç tha poshtërimin e tyre sa ka qenë opozitar.
“Kanë qenë në krye të detyrës edhe kur i keni poshtëruar. Janë në krye të detyrës edhe sot dhe do të jenë përherë. Ata sot janë krenaria e Kosovës”, tha ai.
PDK kritikon presidenten Osmani: Ka dështuar gjatë vitit 2022
Partia Demokratike e Kosovës ka adresuar një varg kritikash ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Një javë pas fjalimit të së parës së shtetit në Kuvend, deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se Osmani ka dështuar në punën e saj gjatë vitit 2022.
“Gjatë vitit 2022, Republika e Kosovës nuk ka pasur asnjë njohje të re. Politika e jashtme është një ndër shtyllat kryesore që lidhen me pozitën e presidentes. Asnjë angazhim konsistent, përveç deklarativ nuk kemi pa nga presidentja për këtë çështje kardinale në forcimin e subjektivitetit tonë ndërkombëtar. Ka dështuar plotësisht për të ushtruar këtë rol. Për më tepër ka dështuar në mbrojtjen e imazhit të Kosovës si shtet i konsoliduar dhe ka abstenuar nga çfarëdo përballje në interes të vendit”, tha ajo.
Sipas saj, presidentja javën e kaluar në Kuvend tha gjëra të pavërteta dhe cilësime të pabaza.
“Çdo e pavërtetë për Kosovën, mbi Kosovën dhe rrugën e lavdishme të Kosovës drejt lirisë dhe pavarësisë me gjithë protagonistët e saj, kurrë nuk do të bëhet qëndrim i shtetit. Pavarësisht se mund të jetë qëndrim i Vjosa Osmanit që sot mban pozitën e presidentes”, shtoi Hoxha.
Ajo kritikoi Osmanin edhe për siç tha abstenimit nga komentimi i çështjeve serioze të interesit publik.
Deputeti i LVV-së: Nuk do të heqim dorë nga zbatimi i ligjit në veri
Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga qytetarët serbë në veri të distancohen nga bandat kriminale dhe siç thanë regjimi i presidentit serb, Aleksandër Vuçiq që po kërkon luftë.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Luan Aliu, në seancën e sotme të Kuvendit, tha se Qeveria e Kosovës nuk do të heq dorë asnjëherë nga zbatimi i ligjit në veri.
“Për shkak të brishtësisë së situatës atje dhe partneritetit miqtë tanë ne kemi toleruar disa herë shtyrjen e zbatimit të vendimeve tona. Megjithatë, ne nuk kemi hequr dorë as nga një vendim që kemi marrë dhe asnjëherë nuk do të heqim dorë nga zbatimi i ligjit dhe obligimeve që dalin nga kushtetuta jonë. Në asnjë pjesë të vendit nuk do të tolerojë mungesa e zbatimit të ligjit pa dallim etnie, feje apo regjioni. Kosova është e përcaktuar për një të ardhme demokratike, prosperuese dhe evropiane. Qytetarët tanë nga komuniteti serb në veri të vendit janë qytetarët tanë dhe duhet të distancohet nga bandat kriminale dhe regjimi i Vuçiqit që po kërkon luftë”, tha ai.
Ai kritikoi edhe ish qeveritë e kaluara, për siç tha qasjen e brishtë në veri të vendit.
​Kuvendi shqyrton sërish marrëveshjen për reformën e sistemit të ndihmës sociale në Kosovë
Ka filluar seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku do të shqyrtohen një sërë pikash. Deputetët u pajtuan që përmes mocionin procedural të përfshijnë në rend të ditës edhe tri marrëveshje ndërkombëtare.
Kuvendi u pajtua që të shqyrtojë sërish marrëveshjen ndërkombëtare të Kosovës me Bankën Botërore për reformën e sistemit të ndihmës sociale në Kosovë.
Ndërkaq, dy marrëveshjet të tjera ndërkombëtare kanë të bëjnë me kornizën e qyteteve të gjelbra të Prishtinës dhe Prizrenit.
Kuvendi mblidhet në seancë të re plenare
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë të re plenare sot (e premte) më fillim prej orës 11:00. Fillimisht pritet të votojnë Strategjinë për energjinë, diskutimet për secilën kanë përfunduar një ditë më parë ndërsa për votim nuk pati kuorum.
Ndërsa seanca e re do të fillojë me pikat e zakonshme që janë deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Më pas do të bëhet shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar,
Gjithashtu, do të bëhet shqyrtimi i dytë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës,
Për shqyrtim të dytë do të jetë edhe Projektligji pёr antidopingun, ai për Bujqësi dhe zhvillim rural dhe Projektligji për Parandalimin dhe kontrollin e integruar të ndotjes.
Deputetët do të bëjnë shqyrtimin e parë të Projektligjit për Zhvillimin Rajonal të Balancuar dhe atë për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore.
Gjithashtu, si pikë e rendi të ditës është debati parlamentar në lidhje me Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2022.
Në fund, deputetët do shqyrtojnë edhe raportin vjetor të Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021.

Back to top button