Gjykata Supreme: Kushtetuesja nuk e ka rrëzuar aktgjykimin për liberalizimin e tregut të energjisë

Gjykata Supreme e Kosovës ka reaguar ndaj raportimeve të fundit duke sqaruar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese nuk ka të bëjë me aktgjykimin e saj për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike dhe kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK).
Përmes një komunikate, Supremeja thekson se pretendimet se “Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar vendimin e Gjykatës Supreme për tregun e lirë të energjisë” janë të pasakta. Sipas saj, vendimi i Kushtetueses i referohet një aktvendimi tjetër të Gjykatës Supreme, me të cilin ishte hedhur poshtë si e palejueshme një padi administrative e një paditësi tjetër.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk i referohet aktgjykimit P.A.nr.18/2025, me të cilin ishte aprovuar padia administrative e Odës Ekonomike të Kosovës kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE)”, thuhet në sqarimin e Gjykatës Supreme.
Institucioni gjyqësor rikujton se aktgjykimi P.A.nr.18/2025 mbetet në fuqi dhe paraqet një çështje të veçantë, e cila nuk është objekt i vendimit të fundit të Kushtetueses.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?