Deputetja britanike thotë se në kishat ortodokse në Kosovë mbahet armatim

Deputetja britanike, Alicia Kearns ka alarmuar se në kishat ortodokse të Kosovës po kontrabandohet armatim nga Serbia, përmes autoambulancave. Në debatin e zhvilluar të martën në Kuvendin britanik, kryesuesja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, ka thënë se KFOR-i është në dijeni për këtë.

“Qeveria është e vetëdijshme, dhe ushtarët tanë të sapokthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armatim që kontrabandohet nga kufiri prej Serbisë në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tanë janë në dijeni për këtë dhe përpiqen të marrin leje dhe t’i kapin, leja zgjatet shumë. Deri në momentin që sigurohet leja – ‘befasishëm’ – një ambulancë u paraqit në kishë dhe nxori përsëri të gjitha armët”, ka thënë ndër tjerash ajo teksa ka kërkuar nga Britania dhe Qeveria e saj të qëndrojnë krahas sovranitetit territorial dhe demokracisë në Kosovë.

Ajo është shprehur po ashtu e shqetësuar se Britania po i shet armatim Serbisë e se “si mund të dihet se asgjë nga ajo që shet Britania s’po përdoret” për vepra, si kidnapimi i tre policëve të Kosovës.

“Kërkoj që të ndalen të gjitha eksportet drejt Serbisë”, ka thënë ajo.

Kearns ka kërkuar që mandatit të KFOR-it t’i zgjerohet mandati për të pasur qasje më proaktive në luftimin e kontrabandimit të armëve dhe milicive në veri të Kosovës.

Pasi debati ishte për kujtimin e Srebrenicës, Kearns ka bërë thirrje që të mbahet premtimi që të mos ketë më kurrë gjakderdhje.

Kearns ka thënë se Britania e Madhe ka përgjegjësi unike në krizën në Kosovë.

Kjo deputete në vazhdimësi i ka dalë në mbrojtje Kosovës. Ajo konsiderohet ndër zërat më mbështetës për Kosovën në Evropë.

Back to top button