Deri më tani mbi 1600 mjekë e profesorë deklaruan pasurinë, 311 ende në proces

Mjekët dhe profesorët universitarë për herë të parë bënë deklarimin e pasurisë.

Deri më tani mbi 1600 mjekë e profesorë e bënë këtë, bëri të ditur drejtori i Agjencisë për parandalimin e korrupsionit, Yll Buleshkaj.

“…nuk jemi të kënaqur me kohën kur është bërë ky deklarimi i pasurisë sepse shumica e kanë vendosur që ta bëjnë në javën e fundit. Numri më i madh i deklarimit të pasurisë është kry në javën e kaluar. Aktualisht i kemi edhe 189 mjekë e profesor që nuk e kanë filluar deklarimin e pasurisë, të gjithë këtyre por edhe atyre që nuk e kanë përfunduar e janë mbi 300 i jemi njoftuar me email përsëri për afatin e fundit, po presim që këtë obligim ta kryejnë…në mënyrë të plotë e kanë përfunduar 1655, janë edhe 311 në proces…”, tha Buleshkaj për rtv21.

Deklarimi i pasurisë së mjekëve u mirëprit nga Oda e Mjekëve të Kosovës,.

Por, kryetari i kësaj Ode, Pleurat Sejdiu thotë se deklarimi i pasurisë do të duhej të bëhej nga të gjithë mjekët.

“…Ne kemi pasë vërejtje që nga fillimi, jo në aspektin që jemi kundër deklarimit, por kemi qenë që nga fillimi kundër diskriminimit apo shënjestrimit të mjekëve, ku do të thotë nuk besoj se pa dashje janë nda mjekët, ku vetëm një pjesë e kanë ba deklarimin, pa një shpjegim se pse, ata nuk kanë kurajo ta thonë, dhe ne kemi qenë kundër për këtë, po dhe po, por të gjithë ata që marrin paga nga buxheti i Kosovës, një gjë e tillë nuk ka ndodhë dhe ajo ka qenë kontesti jonë…”, tha Sejdiu.

Instituti i Kosovës për Drejtësi e sheh të drejtë përfshirjen e këtyre dy kategorive në deklarimin e pasurisë pasi siç thonë ky proces rrit transparencën dhe zvogëlon korrupsionin.

“…është shumë e rëndësishme që të bëhet deklarimi edhe nga këto dy subjekte pasi që kjo shërben për të siguruar transparencë dhe parandalim të korrupsionit në këto dy kategori. Kjo mund të ndihmoj në zbulimin e mundshëm dhe abuzimin e shpërdorimin duke rritur edhe besueshmërinë e publikut në sektorin shëndetësor dhe arsimor. Në asnjë mënyrë s’duhet ta konsiderojmë si cenim të privatësisë, por, s’rritje të transparencës dhe rritje e besimit të qytetarëve në këto institucione…”, tha Lavdim Makshana nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Afati për deklarimin e pasurisë për profesorët universitar dhe mjekët ka qenë i hapur nga 11 shkurti e deri më 12 mars.

Mos deklarimi i pasurisë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet, ndërsa deklarimi i rremë i pasurisë është i dënueshëm me gjobë dhe me burgim prej gjashtë muajsh deri në pesë vjet./RTV21/21Media

Back to top button