Deri tash asnjë ankesë në PZAP për shkelje të heshtjes zgjedhore

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), deri më tani nuk ka pranuar asnjë ankesë për shkelje të heshtjes zgjedhore. Këtë e ka konfirmuar për portalin rtv21.tv, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-it, Mulë Desku.
Në Kosovë kjo e shtunë është heshtje zgjedhore.  Sipas Ligjit për Zgjedhjet, 24 orë para hapjes së Qendrave të Votimit për hedhjen e votës, e deri në mbylljen e tyre, subjekteve politike, mbështetësve ose kandidatëve të tyre u ndalohet: a) shpërndarja ose shfaqja në mënyrë tjetër në ndonjërën nga Qendrat e Votimit, ose 100 metra brenda hapësirës së të njëjtës, e çfarëdo lloj materiali me qëllim ndikimi tek votuesit; b) bërja e fushatës në çfarëdo mënyre.
Partitë politike kanë përmbyllur fushatën zgjedhore e cila zgjati 5 ditë.
Raundi i dytë i zgjedhjeve komunale do të mbahet nesër më 14 nëntor në 21 komuna të vendit. Komunat ku do të mbahen zgjedhjet për balotazh janë: Prishtina, Prizreni, Gjakova, Gjilani, Podujeva, Kamenica, Drenasi, Dragashi, Istogu, Kaçaniku, Klina, Fushë-Kosova, Obiliqi, Rahoveci, Shtimja, Vitia, Vushtrria, Malisheva, Juniku, Mamusha dhe Kllokoti./21Media

Back to top button