Dëshmitarët e ambulancës: Ne kemi dërguar 7 persona në spital

Ekipi i televizionit bullgar, BTV ka biseduar me të punësuarit e Ndihmës së Shpejtë, të cilët kishin arritur në autostradën “Struma” 12 minuta pasi autobusi kishte marrë flakë. Ata thanë se janë kujdesur për 7 persona, të cilët duke thyer xhamin e autobusit, kishin arritu t’i shpëtonin flakëve.
“Gjëja e parë që pamë ishte zjarri afër rrugës. Nuk e dinim se çfarë ishte, pastaj pamë autobusin që digjej. Ishte shumë vapë, kalova pranë. Kisha frikë, isha me dritare të hapura, mos do të shpërthente deri sa kalonim”, tha dëshmitari Pavel Muziski.
Një minutë më vonë kanë arritur edhe 2 automjete të ambulancës. Me njërën prej atyre makinave janë transportuar katër persona që kanë arritur të dilnin nga autobusi. Katër minuta pasi kishin arritur, ambulancat ishin nisur drejt spitalit “Pirogov”.
Sipas rrëfimeve të dëshmitarëve nga automjetet e ambulancës, të fundit e kanë transportuar personin që kishte thyer dritaren.
“Gjatë transportit më tha se ishte ulur në sediljen e pasme të autobusit. Ai kishte dëgjuar një zhurmë të fortë dhe autobusi kishte filluar të digjej. Ai kishte kërcyer dhe me këmbë të lënduar e kishte thyer xhamin dhe kishte kërcyer nga xhami për të ikur. Ai vazhdimisht bërtiste, qante dhe kërkonte birin e tij, ai ishte ulur në sediljet e përparme. E kishte thirrur në telefon, po telefoni nuk kishte qasje”, tha Lorina Nikolova.
Menjëherë pas kësaj, ekipet e ambulancës janë kthyer në autobus, me shpresën se ka të mbijetuar të tjerë.
“Fotografia ishte e tmerrshme – ata ishin përpjekur për të dalë. Po të mos ishte zjarri, mendoj se nuk do të kishte të vdekur në aksident”, tha dr. Valeri Simeonov.
Një autobus i kompanisë “Besa Trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, në mëngjesin e 23 nëntorit është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident, jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë.

Back to top button