Shqipëria pëson humbje nga Norvegjia

 
Kombëtarja e Shqipërisë në kategorinë e femrave ka pësuar humbje të thellë si vendase kundër Norvegjisë, ndeshje kjo e vlefshme për xhiron e pestë të fazës së grupeve drejt Kampionatit Botëror 2023 për femra.
Shqipëria është mposhtur si vendase me rezultat të thellë 7:0 nga Norvegjia.
Dy gola për Norvegjinë i shënoi sulmuesja Leonhardsen (minutat 23’ dhe 77’), kurse me nga një gol kontribuuan Reiten (minuta 60’), Terland (minuta 84’), Thorisdottir (minuta e 62’), Hasund (minuta 81’ )dhe Saevik (minuta 84’).
Kjo ishte humbja e dytë e Shqipërisë me po këtë rezultat në këtë fazë të grupeve, ku më herët kishin pësuar humbje nga Belgjika me rezultat 7:0.
Me tre pikët e reja, Norvegjia ngjitet në pozitën e parë në Grupin F me gjithsej 13 pikë, dy sosh më shumë se Polonia që zë vendin e dytë.
Në anën tjetër, Kombëtarja e Shqipërisë pozicionohet në vendin e pestë në tabelë në kuotën e katër pikëve, aq sa ka edhe Kosova që renditet një pozitë më lartë, respektivisht në vendin e katërt.
Ndeshjen e radhës, vashat e Shqipërisë do ta zhvillojnë si mysafire në stadiumin “Fadil Vokrri” kundër Kombëtares së Kosovës, ndeshje kjo që do të zhvillohet më 30 nëntor.
Rezultati përfundimtar i ndeshjes mes Shqipërisë dhe Norvegjisë është 7:0 në favor të norvegjezeve.

Back to top button