Dëshmitari i prokurorisë nesër përgjigjet në pyetjet e mbrojtjes së Pjetër Shalës
Dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë ka thënë se Pjetër Shala ishte pjesë e grupit të personave që kishin shkuar në shtëpinë e tij, në maj të vitit 1998, me kërkesën e dorëzimit të armëve. Megjithatë, ai nuk ka arritur ta përshkruaj atë, meqë sipas tij, i njëjti ishte jashtë oborrit të shtëpisë dhe i shihej vetëm dora dhe arma që mbante.
Sipas dëshmitarit, dy persona ishin futur në oborrin e shtëpisë për të biseduar, ndërsa të tjerët rrinin pranë oborrit me armët në duar.
Gjatë dëshmisë së tij, ai ka thënë se disa prej personave ishin me uniformë të UÇK-së.
Tutje, dëshmitari ka thënë se ata janë paraqitur që vinë nga shtabi i fshatit Jabllanicë.
Pas përfundimit të pyetjeve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, dëshmitari u është përgjigjur pyetjeve të kryetares së turpit gjykues dhe mbrojtjes së Shalës.
Gjykatësja: Na thatë më herët, ai incidenti ku ishte një person, me një armë që shkatërronte ndërtesa, ky personi që thatë ju dhe që dëgjuar atë kohë, e patë këtë person?
Dëshmitari: Po
Gjykatësja: Si dukej atëherë?
Dëshmitari: Me minahedhës, e kam parë që ka qenë personi i parë afër dyerve të shtëpisë. E kam parë vetëm pak, dora mbi gardh, arma e gatshëm për qitje.
Sipas dëshmitarit, personat që qëndronin jashtë oborrit, i kishin mbajtur armët në drejtim të shtëpisë.
“Dy persona kanë ardhur rrugës, në oborrin e shtëpisë kanë qenë vetëm dy persona, të tjerët kanë qenë të gardhi, në anën e rrugës, të mbuluar prej gardhit dhe armët në drejtim të objektit”, ka thënë dëshmitari.
Këta persona, sipas dëshmitarit, kishin ardhur për t’i kërkuar dorëzimin e armëve familjes së tij.
Sipas dëshmitarit, ata kishin thënë se urdhri për këtë është dhënë nga Lahi Ibrahimaj.
Dëshmitari ka thënë se babai i tij, të cilin e kërkonin, nuk kishte dalë nga shtëpia atë ditë për t’u takuar me personat që sipas tij ishin të UÇK-së.
Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitari i ZPS-së ka thënë se babai i tij ishte kidnapuar dhe dërguar në një fabrikë metali në Kukës.
Në shtëpi, sipas dëshmitarit, ai ishte kthyer vetëm 13 ditë më vonë në një gjendje jo të mirë shëndetësore.
Para trupit gjykues, dëshmitari ka thënë se babai i tij ishte keqtrajtuar nga Pjetër Shala.
“Ka qenë në dhomë me tri dritare vetëm hekura, pa xhama, ka thënë diçka flinin në beton, disa në sfungjerë, pa pastrim, të gjithë aty kanë qëndrua”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se babai i tij kishte shërbyer polic për rreth 35 vjet, deri në vitin 1997 kur sipas tij ishte larguar dhunshëm.
“Baba ka pasur trauma psikologjike, i shkatërruar nga lagët që i ka marrë në kampin e mbajtjes në Kukës. Përkeqësimi i shëndetit dhe të gjitha me radhë, sëmundje kohë pas kohe. I kanë shkaktuar verbimin e syve, të gjitha ato i ka fituar nga mbajtja”, ka thënë dëshmitari.
Një pjesë e madhe e kësaj dëshmie është dëgjuar në seancë private apo me përmbajtje të redaktuar.
Dëshmitari i cili mban numrin 8, do të dëgjohet edhe të martën kur mbrojtja e Shalës do të vazhdojë kundërpyetjet.
Pjetër Shala po mbahet në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.
Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet z.Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës(Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.