​DhTIK nënshkruan memorandum bashkëpunimi me Universitetin “Haxhi Zeka” në Pejë

Me qëllim të rritjes së bashkëpunimit, krijimit të lehtësirave për studentët, shkëmbimit të të dhënave për përkrahjen e studentëve dhe bizneseve, krijimin e vendeve të reja të punës për studentët të cilët janë në studime e sipër, bërjes së hulumtimeve dhe analizimin e tregut të punës e nevojave që ka tregu për t’i orientuar studentët në fusha përkatëse, Dhoma e Tregtisë ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi me Universitetin “Haxhi Zeka” Pejë.
Në komunikatën e kësaj ode thuhet se Dhoma e Tregtisë dhe Universiteti “Haxhi Zeka” Pejë, përmes këtij Memorandumi të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit janë pajtuar që të krijojnë partneritet me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fusha të ndryshme.
Më tej thuhet se kryetari i Dhomës së Tregtisë, Skënder Krasniqi duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit, me rastin e nënshkrimit të memorandumit ka deklaruar se me anë të nënshkrimit të kësaj marrëveshje po hapen rrugët për studentët të cilët krahas studimeve do të kenë mundësinë të vijojnë edhe praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të Dhomës së Tregtisë.
Krasniqi gjithashtu u shpreh se bashkëpunimi ndërmjet Universitetit dhe bizneseve ka për qëllim që kuadrot e reja të jenë me të përgatitura profesionalisht, duke shprehur vullnetin e përbashkët që bashkëpunimet e tilla të kenë efektin e vet të zbatimit edhe në praktik ë dhe jo vetëm ne letër.
Kurse rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof.Dr. Armand Krasniqi ka mirëpritur bashkëpunimin me Dhomën e Tregtisë respektivisht me bizneset dhe angazhimet e studentëve në punë praktike.
Rektori Krasniqi gjithashtu theksoi se si Universitet kanë prioritet turizmin me fokus të veçantë por edhe agrobiznesin si dy degë më potencial më të lartë. Në këtë drejtim theksoi që këndi i biznesit mund të ndihmoj më shumë duke kontribuar në shumë dimensione, përfshirë projektet e përbashkëta me synim ngritje të kapaciteteve të bizneseve dhe fuqisë punëtore.
Nënkryetari i Dhomës së Tregtisë Arsim Selmonmusaj e vlerësoi si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin mes Dhomës së Tregtisë dhe Universitetit, respektivisht bizneseve, me qëllim që të krijohen mundësi më të mira për ndërlidhjen e të rinjëve me tregun e punës.
Gjithashtu me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe krijimit të kanaleve të punësimit për studentët e vendit tonë Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë deri më tani ka nënshkruar memorandume të bashkëpunimit edhe me fakultetet tjera si: Fakultetin Juridik, Fakulteti Ekonomik, Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë, Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike, Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, Fakultetin Filologjik, Dega Gazetari, Universitetin Amerikan RIT dhe Kolegji UBT.

Back to top button