“Dialogu me Serbinë, barrë e vazhdueshme për Kosovën”

Zyrtarët të lartë të SHBA-së kanë theksuar nevojën për një marrëveshje sa më të shpejtë midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, duke shmangur kështu tensionet e vazhdueshme midis palëve. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se ajo që nuk duan të shohin në Ballkanin Perëndimor është rikthimi i konflikteve, siç ishte ai i 24 shtatorit në veri të Mitrovicës.

“Aleanca është përgjigjur me vendosmëri ndaj aktorëve që synojnë të destabilizojnë veriun e Kosovës. Siç e kemi thënë edhe më herët gjatë këtij viti, ne kemi dislokuar trupa shtesë në misionin paqeruajtës të NATO-s në Kosovë- KFOR”, tha Blinken.

Ndërkohë, ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka kritikuar Serbinë për raportet me Rusinë dhe shmangien për zbatimin e disa prej pikave të marrëveshjes së Brukselit. Në të njëjtën kohë, Hill theksoi edhe obligimin e  Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit.

“Kosova ka nevojë për më shumë kapacitete për të qenë një lojtar ndërkombëtar. Ideja fillestare që është në tryezë është se do të ketë një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe dhe në këmbim Serbia do të tërhiqet dhe do t’i japë Kosovës kapacitet për të kërkuar anëtarësim në bashkësinë ndërkombëtare. Nuk është e lehtë, ju gjithmonë mendoni se negociatat janë një ekuacion që e mësoni në shkollën e mesme në matematikë, por është gjithmonë më kompleks se sa mendoni, por kjo duhet të ndodhë”, tha Hill.

Takimet e fundit në Bruksel në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi nuk kanë dhënë rezultate konkrete, Sipas deputetit të VV-së Visar Korenica, fajtore është pala serbe e cila po e përdor dialogun për çështje elektorale.

‘’Bashkësia ndërkombëtare janë përgjegjës që ti ftojnë palët për vazhdimin e dialogut aty ku ka mbet. Unë pres që kjo të ndodh sa më shpejtë. Do të ndikojnë edhe zgjedhjet e dhjetorit në Serbi. Dialogu është barrë që po na përcjellë vazhdimisht”, Korenica.

Përveç zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi në fund të këtij viti, gjatë vitit 2024 zgjedhje pritet të ketë edhe në BE dhe SHBA. Kjo sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj, do të ketë ndikim të drejtpërdrejt në dinamikën e procesin të dialogut për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

‘’Procesi i dialogut është në status-quo. Në vitit 2024 do të ketë zgjedhje në BE dhe SHBA ka zgjedhje. Është rrezik që edhe viti 2024 do të shkojë kështu pa ndonjë marrëveshje që përfiton Kosova. Mos pjekuria  politike e Qeverisë ka ndikuar në dialog dhe në investimet ekonomike”, tha Lekaj.

Njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Arbnor Sadiku, vlerëson se progresi në procesin e dialogut varët nga të dyja palët, si nga Kosova ashtu edhe nga Serbisa.

‘’Dialogu ka pësuar stagnim dhe vendnumërim. Progresi varët nga Kosova dhe Serbia. Edhe Ambasadori Hill e tha se Serbia nuk mund ti bishtnoj marrëveshjet. Kosova duhet të fillojë një dialog të brendshëm me serbët e Kosovës për asociacionin pasi serbët janë të fokusuar në zgjedhjet që do të mbahen në dhjetor në Serbi’’, tha Sadiku.

BE-ja ka paralajmëruar se në javët në vazhdim përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë do të ftohen për takim të radhës në Bruksel, por ende nuk ka një datë të caktuar./21Media

Back to top button