Kaloni te përmbajtja kryesore

Dimitrievski do të përjashtohet nga LSDM! Reagon kryetari i Kumanovës: Gjithmonë do të mbetem socialdemokrat!

LSDM pritet që ta shkarkojë Maksim Dimitrievski në Këshillin e parë Qendror partiak që do ta mbajë. Kjo pasi kryetari aktual i Kumanovës, pa vendim partiak shpalli kandidaturën si i pavarur për edhe një mandat. Kreu socialdemokrat Zoran Zaev tha se vendosmëria e Dimitrievskit, për të mos pritur që LSDM-ja të marrë vendim dhe të largohet para kohe nga procesi i përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet e ardhshme lokale, është vendim i tij personal dhe me atë vendim personal e ka marrë vendimin për vetëpërjashtim nga LSDM-ja, andaj partisë nuk i mbetet gjë tjerët vetëm se ta konfirmojë përjashtimin e tij.
“Statuti i LSDM -së, i udhëhequr nga të gjitha përcaktimet demokratike, e ka bërë të qartë ndarjen. Kur vendosni që të largoheni nga LSDM-ja, përshkruhet në disa mënyra se si e bëni këtë, dhe njëra prej tyre është pikërisht ajo – ju largoheni nga LSDM-ja dhe shkoni si kandidat i pavarur. Maksim Dimitrievski vendosi për këtë. Ishte vendimi i tij dhe Maksimi doli kundër Maksimit. E vetmja gjë që i ka mbetur LSDM-së ishte që Këshilli i parë Qendror të konstatoj atë që bëri Maksim Dimitrievski, pra ky është përjashtimi nga LSDM-ja”, tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Nuk ka munguar reagimi i Dimitrievskit. Thotë se deklarata e Zaevit tregon se ai është ende anëtar i LSDM-së dhe se nuk është vetëpërjashtuar sikurse ka deklaruar sekretari i përgjithshëm i partisë, Ljupço Nikollovski. Ka pyetur se si është e mundur që udhëheqësia e LSDM-së paraprakisht ta dijë se çfarë vendimi do të sjellë Kryesia Qendrore dhe a luftuam për demokraci të këtillë brendapartiake?
“Qëndrimi i sotëm i kryetari të LSDM-së, Zoran Zaev se do të përjashtohem nga mbledhja e ardhshme e Kryesisë Qendrore të partisë, tregon se qëndrimi djeshëm i sekretarit Nikollovski se jam vetëpërjashtuar nuk është i vërtetë dhe e vërteton qëndrimin tim se formalisht ende jam anëtarë i LSDM-së. Socialdemokratët e vërtetë gjithmonë e flasin të vërtetën dhe nuk shërbehen me manipulime”, u shpreh Maksim Dimitrievski – kryetar i Komunës së Kumanovës.
Dimitrievski disa ditë para se LSDM të shpallte kandidaturën për qytetin e Kumanovës, doli me një konferencë për media, ku u shpreh se me kërkesën e qytetarëve të Kumanovës dhe me mbështetjen e disa socialdemokratëve të shquar do të kandidojë edhe për një mandat për qytetin e Kumanovës, por kësaj radhe si i pavarur, ndërsa më vonë edhe LSDM doli me Oliver Ilievski si kandidat i tyre për Kumanovën./TV21

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button