Diskutohet nevoja për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm

Auditimet e vitit 2020 kanë nxjerrë në pah një sërë mangësish në shumicën e organizatave buxhetore, të cilat karakterizojnë një menaxhim të dobët të fondeve buxhetore. Këtë e bëri të ditur auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca në një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.
Më tutje, Spanca ka theksuar nevojën për forcimin e kontrolleve në raportimin financiar dhe një qasje më të fokusuar në zgjidhjen dhe adresimin e problemeve të identifikuara.
“Shqetësuese vazhdon të mbetet niveli jo i kënaqshëm i zbatimit të rekomandimeve. Ndonëse përpjekjet e koordinuara të Zyrës Kombëtare të Auditimit dhe të komisioneve parlamentare të Kuvendit kanë filluar të japin efekte pozitive, është rritur përqindja e rekomandimeve të zbatuara nga 40% në vitin 2019, në 45% për vitin 2020, përmirësimi i mëtejshëm në këtë fushë, kërkon përkushtim më të madh të vendimmarrësve”, tha Spanca ndër tjera.
Gjatë këtij takimi është diskutuar edhe nevoja për ndryshimin e Ligjit për Auditorin e Përgjithshëm, duke theksuar se ky ndryshim do të mundësonte përzgjedhjen e auditimeve duke vlerësuar shkallën e rrezikut për paranë publike.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka uruar  Vlora Spancen për marrjen e detyrës së re, si dhe ka shprehur mbështetjen për punën e Zyrës Kombëtare të Auditimit, në rritjen e llogaridhënies dhe transparencës në sektorin publik.
Në fund Spanca ia ka dorëzuar edhe formalisht Raportin Vjetor të Auditimit për Pasqyrat Financiare Vjetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020./21Media

Back to top button