Dita e boksit në Festivalin Olimpik të Prishtinës

 
 
Për nder të Lojërave Olimpike “Tokio 2020” që po zhvillohen në Japoni, krahas tyre është duke u mbajtur Festivali Olimpik në sheshin “Skënderbeu” të Prishtinës.
Sot ishte dita e katërt e këtij Festivali, ku kishte aktivitete të shumta sportive, por në veçanti ishte ai i boksit për ta nderuar boksieren tonë Donjeta Sadiku e cila garoi sot në “Tokio 2020”.
E me rastin e “Ditës së Boksit” që u zhvillua në kuadër të Festivalit Olimpik të pranishëm ishin edhe gjyqtari ndërkombëtar Latif Demolli, drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit Shqipe Zogu dhe klubi i boksit “Drenasi”.
Gjyqtari Latif Demolli tha që duhet të ketë sa më shumë lloje të aktiviteteve sportive që t’i inspirojmë moshat e reja që të merren sa më shumë me sport.
“Siç e shihni këtu i kemi edhe disa nga sportistët e ndryshëm të federatave të ndryshme, dhe ne si Federatë e Boksit kemi angazhuar disa boksierë të klubeve që të tregojmë aftësitë bujare të boksit si në shkollë, teknikë, sparing e të tjerë, dhe kështu edhe fëmijët të shohin se si zhvillohet boksi në Kosovë. Dhe ky është një aktivitet për shkak të këtyre çunave të vegjël, t’i inspirojmë që të gjithë të merren me sport, sepse sporti është shëndet dhe besoj që deri në fund do të vazhdojmë edhe në Lojërat Olimpike, ku veç i kemi dy medalje të arta dhe deri në fund besojmë që do të marrim edhe ndonjë medalje”, tha Demolli.
Ndërsa drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Drenasit Shqipe Zogu, tregoi që Festivalit Olimpik i është bashkangjitur edhe kjo Komunë, në shenjë solidarizimi me performancën e boksierës Donjeta Sadiku.
“Festivalit Olimpik, i cili po mbahet këtu në Prishtinë, iu bashkëngjit edhe Komuna e Drenasit. Sot në këtë Festival merr pjesë klubi i boksit ‘Drenasi’, merr pjesë edhe në shenjë solidarizimi me performancën e Donjetës, që e ka pikërisht në Lojërat Olimpike ‘Tokio 2020’, Donjeta Sadiku boksieres sonë”, tha Zogu.
Në kuadër të Lojërave Olimpike “Tokio 2020” boksierja jonë Sadiku pësoi humbje në ndeshjen e parë nga Caroline Depuis e Britanisë së Madhe, e cila është kampione olimpike për të reja dhe finaliste e turneut kualifikues evropian për “Tokio 2020”.

Back to top button