Divorci i prindërve, bullizmi e dhuna shkaktarët kryesor të traumave te fëmijët

Trauma është një reagim emocional përballë një gjendje tmerruese apo shokuese që ndodhë në rastet kur përjetohet ndonjë abuzim, luftë, aksident, ushtrim i dhunës apo edhe ndonjë fatkeqësie natyrore. Pas ngjarjes së përjetuar menjëherë paraqiten reagime si tronditja dhe mohimi. Pra, traumë quhet përjetimi i ngjarjes ndërsa vet ngjarja quhet ngjarje traumatike.
Kështu tha për rtv21.tv, psikoterapeuti Yll Avdijaj, i cili tha se “përjetimi i traumës zakonisht shoqërohet me reagime afatgjate, ku përfshihen emocione të paparashikueshme, flashbacks (rikthim mbrapa), raporte të tensionuara të shoqëruara edhe me simptoma fizike si kokëdhimbje, probleme me aparatin tretës, mpirje të gjymtyrëve të trupit, rrahje të shpejtuara të zemrës, shkëputje e të tjera”.
Avdijaj tha se gjatë punës profesionale, vërejnë shumë raste ku viktima të traumave janë fëmijët.
Kjo, sipas tij, mund të ndodhë për disa arsye, kur fëmijët janë të ekspozuar ndaj mjediseve familjare ku mbizotërojnë marrëdhënie toksike, ku dhuna është prezente, prindërimi i rreptë dhe i pakujdesshëm, dukuri si bullizmi qoftë brenda familjes, mjedisit ku jeton apo edhe në shkolla, pastaj divorci i prindërve, humbja e njërit  apo të dy prindërve, ndryshimi i vendbanimit dhe shkollës, abuzimi seksual e të tjera.
“Çdo përvojë traumatike shoqërohet me manifestim të stresit, ankthit, problemeve me koncentrimin, fokusin dhe mbamendjen, izolim, belbëzim i shkaktuar nga trauma, çrregullim të oreksit dhe gjumit, urinim në shtrat gjatë gjumit natën, mos dëshirë për të shkuar në shkollë, depresion dhe humbje e vullnetit dhe dëshirës për të jetuar”, tha Avdijaj për rtv21.tv

Sa më herët që të vërehen këto simptoma të fëmijët, Avdijaj tha se këshillohen kujdestarët dhe mësimdhënësit që të intervenojnë, duke kërkuar trajtim psikologjik për këta fëmijë.
“Sa më herët që të merren masat e duhura, aq më të mëdha janë edhe shpresat për t’u kuruar, dhe për t’u parandaluar që kjo dukurin të mos shkaktojë problematika më të mëdha të cilat mund të sjellin probleme dhe çrregullime psiko-emocionale”, përfundoi psikoterapeuti./21Media

Back to top button