DnV: Partitë politike nuk i deklarojnë shpenzimet e fushatës

Demokracia në Veprim flet për fushatën parazgjedhore

Gjatë kësaj konference u bënë të ditura gjetjet e një hulumtimi mbi shpenzimet e partive politike për fushatën që po zhvillohet për këto zgjedhje të realizuar nga KDI në bashkëpunim me Transparency International nga Republika Çeke si dhe mbarëvajtja e fushatës zgjedhore deri më tani.

Sa i përket hulumtimit David Ondracka, nga Transparency International nga Republika Çeke, bëri të ditur se si është realizuar duke u dërguar subjekteve politike një pyetësor me tetë pyetje mbi shpenzimet e fushatave paraeletorale. “Niveli i përgjegjësisë së subjekteve është mjaft i ulët, ku vetëm gjashtë nga 39 subjekte i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes për të ofruar të dhëna mbi shpenzimet. Nga këto gjashtë, dy kanë deklaruar se nuk kanë fonde të tyre, por do të jenë pjesë të fushatave të partnerëve tjerë, kurse katër subjekte tjera u janë përgjigjur pyetjeve të pyetësorit. Këto janë KDTP (Kosova Demokratik Türk Partisi), CDU (Centar Demokratska Stranka) nga Koalicioni Vakat, Nova Demokratska Stranka dhe Pokret Za Gora (PG)”, ka thënë ai.

Kurse Mjellma Hapçiu Alijaj, nga Demokracia në Veprim, theksoi se transparenca dhe llogaridhënia financiare e partive politike është parakusht për demokratizimin dhe funksionimin e subjekteve në bazë të standardeve ndërkombëtare.

“Deklarata e nënshkruar nga subjektet politike më 29 maj e lehtësuar nga Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) është tregues se partitë janë zotuar për transparencë financiare dhe ne do të monitorojmë nëse këto zotime do të përmbushen.”, ka shtuar ajo.

Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim, ka folur për mbarëvajtjen e fushatës zgjedhore duke bërë të ditur se DnV, po vëzhgon fushatën përmes 60 vëzhguesve afatgjatë.
Në bazë të raportimeve, ka bërë të ditur se në dy ditët e para të fushatës zgjedhore janë monitoruar 77 aktivitete të subjekteve politike në mbarë vendin, shumica e të cilave kanë qenë tubime publike. Pjesa më e madhe e aktivitete zgjedhore të monitoruara nga DnV kanë qenë takime me 50 deri në 500 pjesëmarrës, ndërsa 6 prej tyre kanë qenë tubime me mbi 1000 pjesëmarrës.
Incidentet

Kryeziu ka shpjeguar se në shumicën e aktiviteteve për sigurinë është përkujdesur Policia e Kosovës. Ai ka thënë se atmosfera në përgjithësi gjatë dhe pas aktiviteteve është raportuar të ketë qenë e qetë duke përjashtuar rastin e një aktiviteti të organizuar në Novobërd nga Lista Srpska ku është raportuar për atmosferë të tensionuar gjatë aktivitetit si dhe është raportuar se ky subjekt politik ka vendosur se nuk do të ketë takime publike në këtë komunë. Po ashtu në ditën e parë të fushatës zgjedhore, është raportuar për një incident në komunën e Graçanicës ku subjektet politike SLS dhe LS kanë pasur mosmarrëveshje për shfrytëzimin e një billbordi, ku ka ndërhyrë policia.Sipas Kryeziut mediat nuk kanë qenë të pranishme në 32 nga 77 aktivitetet zgjedhore të monitoruara në rang vendi, ndërsa në aktivitet në të cilat kanë marr pjesë nuk janë penguar të raportojnë lirshëm. DnV bën të ditur se është duke monitoruar gjithashtu përdorimin e rrjetit social Facebook nga koalicionet dhe subjektet politike që nga fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore./21Media

Back to top button