Dogana grumbulloi 1.37 miliard euro gjatë vitit 2021

3 min read

Të hyrat gjatë vitit të kaluar në Doganën e Kosovës kanë qenë 320 milionë euro më shumë se vitin paraprak. Gjatë vitit që shkoi importi ka shënuar rritje me vlerë 4,6 miliardë euro, ndërkaq edhe eksporti ka pasur rritje prej 62 për qind krahasuar me vitin 2020.

Gjatë prezantimit të rezultateve të Doganës, ministri i Financave Hekuran Murati theksoi se gjatë vitit të kaluar është shënuar rekord në të hyra dhe se prioritet për shtetin mbetet luftimi i kontrabandës.

“Të hyrat kanë arritur në një nivel të jashtëzakonshëm. Ka pasur performancë më të mirë në mbledhje. Kemi indikatorë dhe performancë shumë më të mirë edhe në tregtinë e jashtme duke nënkuptuar këtu eksportin, pra është shënuar edhe këtu një rekord sa i përket eksportit me mbi 700 milionë euro. Kurse sa i përket mbledhës së të hyrave, ka edhe rritje të efikasitetit në luftimin e kontrabandës dhe kjo nënkupton një siguri më të madhe për të gjitha bizneseve, sepse tani e tutje mund të flitet për një fushë të barabartë të lojës ku nuk ka trajtime preferenciale dhe lëshime të tilla nga ana e shtetit”, ka thënë Murati.

Drejtori i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu tha se viti i kaluar ka qenë i brishtë për nga sfidat, por u zotua se kanë arritur objektivat e këtij institucioni.

Sipas tij, shteti kryesor ku kanë eksportuar gjatë vitit janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 126 milionë euro.

“Kemi arritur që të kemi të hyra prej 1 miliard e 371 milionë. Kjo shënon një rritje prej 322 milionë më shumë se sa viti 2020, në përqindje kjo i bie se kemi pasur 30,7 për qind më shumë të hyra. Me qëllim që të jemi fer edhe në krahasimet me vitin paraprak, vitin 2019 që nuk ka pasur ndikime nga pandemia edhe rrjedhimit kemi pasur më shumë të hyra edhe se sa viti 2019, me 16,2 për qind ose 198 milionë më shumë të hyra. Ky trend i rritjes tejkalon të gjitha trendet e rritjeve të më hershme vit për vit”, ka shtuar ai.

Më tej, Llugaliu ka folur edhe për përqindjen e importit dhe eksportit gjatë vitit 2021. Sipas tij, importi i lëndës së parë ka shënuar rritje prej 19 për qind, ndërkaq importi i derivateve me lirim ka shënuar rënie prej 12 për qind.

“Te importi kemi pasur 4,6 miliardë euro import gjatë këtij viti, krahasuar me 3,2 dhe 3,5 në vitet paraprake. Eksporti ka treguar një rritje të konsiderueshme që është e pashembullt me vitet paraprake. Rritja ka qenë prej 62 për qind krahasuar me vitin 2020, ndërsa 104 për qind krahasuar me vitin 2019. Dogana e Kosovës i ka kushtuar rëndësi edhe luftimit të informalitetit. Si rezultat i përpjekjeve tona kemi pasur tek mallrat e konfiskuara kemi pasur nga 4,3 milionë në vitin paraprak, 9 milionë në vitin 2021. Që është një rritje prej 109 për qind”, ka deklaruar ai.

Drejtori i Doganës së Kosovës ka shtuar se gjatë vitit të kaluar kanë arritur një rezultat të parandalimit prej më shumë se 11 milionë euro në fusha të ndryshme.

Në prezantimin e rezultatit të punës së Doganës së Kosovës, u tha se ka pasur rritje të prodhimit të brendshëm prej më shumë se 50 për qind.